23. Zhvendosja nga një vend tek tjetri – ballafaqimi me një realitet të panjohur
Duke mos hartuar strategji të posaçme për çdo vend të cilin e viziton dhe duke mos e lodhur kokën fare për gjetjen e metodave të përshtatshme, prandaj qysh nga dita e parë ai do të hasë në kundërshti dhe refuzim për shkak të mungesës së një pasqyrimi dhe interesimi paraprak në lidhje me atë vend, traditat dhe ligjet e tij, dhe kështu goditet nga dëshpërimi dhe në fund e braktis tërë aktivitetin.
Ose ka të bëjë me një vend të caktuar në të cilin e harxhon tërë pasurinë dhe jetën e tij për të arritur që të inkuadrohet dhe bëhet banor i tij, nën pretekstin se është vend i veçantë nga të tjerët.
Ose vendi në të cilin ndodhet ai mendon se nuk e meriton të jetë në mesin e tyre një kapacitet si ky, duke harruar se është vetëm një shërbëtor dhe thirrës, dhe vendi i tij është aty ku mund ta shpërndajë këtë thirrje; pastaj qëllimi i tij është nxjerrja e njerëzve nga errësirat në dritë, edhe pse ka mundësi që të ketë ndonjë vend më të favorshëm në këtë drejtim, por edhe ai vendi me më pak vlerë ndonjëherë është më i vlefshëm për dikë, e gjithë kjo në bazë të rrethanave momentale.
Ebu Hurejre thotë: ”Të qëndroj si roje nate në rrugën e Allahut është më me vlerë për mua se sa të falem tërë natën e Kadrit afër gurit të zi (ne Qabe).”
Ibn Tejmije thotë: ”Për këtë arsye vendi më me vlerë është aty ku ke mundësi të i nënshtrohesh Allahut dhe të dërguarit të Tij më së miri, e kjo varësisht prej situatave, dhe nuk mund të kufizohet vetëm një vend i caktuar si më me vlerë; Pastaj kjo varet edhe nga personalitetet e njerëzve, se sa mund të jenë të devotshëm, të përkushtuar, të bindur dhe të përulur ndaj Allahut në rrethanat e atij vendi. Ebu Derda i shkruajti Selman El-Faresiut: “Eja në vendin e shenjtë (Qabe)!” Porse Selmani ia ktheu: “Toka nuk e shenjtëron (ngritë) njeriun por puna e tij. Muhamedi ﷺ i kishte vëllazëruar mes vete, por Selmani kishte kuptim të fortë në shumë çështje, e prej tyre ishte edhe kjo”.[1]
24. Rënia në mëkat dhe shfrytëzimi i kësaj shanseje nga ana e shejtanit
Në momentin kur dikush bie në mëkat, shejtani e shfrytëzon këtë situatë që ta mbizotërojë atë, duke i thënë: “Si mendon ti thërrasësh njerëzit për tek Allahu kur ti vetë e bën këtë punë e atë punë?!” Dhe kështu vazhdon derisa ta largojë komplet nga thirrja, dhe jo vetëm kaq, por pastaj dobësohet edhe nënshtrimi i tij ndaj Allahut, i shtohen mëkatet dhe si përfundim i lë në tërësi të gjitha punët e mira.
Harroi ky vëlla se veprat e mira i fshijnë ato të këqijat.
25. Konkurrenca mes bashkëkohësve
Nëse e vëren se shoku i tij e ka kaluar kohën në dituri dhe aktivitet, i zmadhohet kjo çështje në veten e tij saqë fillon ta urrejë atë dhe nuk dëshiron më të vazhdojë në të njëjtën rrugë me të, rrugën e thirrjes, por zgjedh që ta braktisë aktivitetin vetëm e vetëm që të mos thuhet se filani është më pak i ditur se filani; duke harruar thënien e Muhamedit ﷺ: ”Nuk e ka besimin e plotë asnjëri prej jush përderisa të mos e dëshirojë për vëllanë atë që e dëshiron për vete.”
26. Dëshira për tu mburrur dhe për të udhëhequr
Në momentin kur e vëren se nuk është në qendër të davetit, krenaria, kokëfortësia dhe mendjemadhësia e tij nuk e lejojnë që ta pasojë dikë tjetër.
Ahmedi, Tirmidhiu dhe Darimiu shënojnë se djali i Ka’b bin Malik El-Ensarij transmeton nga babai i tij se Muhamedi ﷺ ka thënë: ”Dy ujqër të uritur në kopenë e deleve nuk bëjnë dëm më shumë sesa dëmi që i shkaktojnë njeriut në fenë e tij preokupimi me pasuri dhe mburrja me prejardhje .”[2]
Fudajl bin Ijadi thotë: “Nuk ka kush që i ka pëlqyer udhëheqësia veçse ka filluar ta pëlqejë përmendjen e mangësive të njerëzve, dhe rrjedhimisht ka filluar ta urrejë që në prezencën e tij të përmendet dikush tjetër për të mirë pos tij. Ai që e ka pëlqyer udhëheqësinë veçse i është dhënë lamtumira dobisë nga ai.”[3]
Abdullah bin Hasen El-Anberij thotë: “Që të isha bisht në të Vërtetën është më e dashur për mua sesa të isha kokë në të kotën”.[4]
Këto fjalë i kishte thënë në momentin kur ishte kthyer në ehlu sunnet (pasues së traditës së Muhamedit ﷺ dhe besimtarëve), sepse më parë mbante disa bindje të cilat binin në kundërshtim me këtë; Ndërsa si pasojë, kur u kthye në të Vërtetën iu tha se më nuk do ta mbante atë pozitë që kishte më parë.
27. Angazhimi me një aktivitet shkencor apo me ndërtim të shtëpisë
Kjo është një nga gjërat të cilat e shuajnë frymëzimin dhe entuziazmin e tij, e si rrjedhojë dobësohet raporti i tij me thirrjen në Islam, duke i harruar kështu shumë prej metodave dhe ideve që kishte pasur më parë; Pastaj i ndryshojnë edhe situatat dhe aktivitetet e tij saqë i vështirësohet shumë inkuadrimi i sërishëm në pozitën që kishte, dhe kështu duke e parë veten e tij si të papërshtatshëm parapëlqen që të jetojë në errësirë, larg ndriçimit (imanor), fillon të e pëlqejë vetminë dhe mbylljen.
Tirmidhiu dhe Ebu Davudi përcjellin nga Esleme Ebi Imran Et-Texhibijj se ka thënë: “Ishim në mesin e romakëve kur para nesh doli një grup i madh prej tyre, e poashtu edhe nga muslimanët doli një grup i madh i ngjashëm me ta por edhe më i madh. Nga banorët e Egjiptit ishte Ukbetu bin Amir ndërsa nga grupi tjetër Fadil bin Ubejd; nga mesi i muslimanëve u shfaq njëri dhe depërtoi thellë në mesin e romakëve, ndërsa besimtaret brisnin të gëzuar: “Subhanallah![5] Shiko se si u hodh me duart e tij në shkatërrim!” Pastaj Ebu Ejjub El-Ensarij i ngrit dhe tha: “O ju njerëz! Vërtetë ju po e deformoni ajetin e Kur’anit, sepse ky ajet ka zbritur për Ensarët (banorët e Medinës) derisa Allahu e ngriti fenë Islame dhe u shtuan përkrahësit e saj dhe i thanë njëri-tjetrit në fshehtas nga Muhamedi ﷺ: “E humbëm pasurinë tonë, e tash Allahu e ngriti këtë fe dhe u shtuan përkrahësit e saj, ... sikur ti rikthehemi pasurisë sonë dhe ta kthejmë prapa atë që e humbëm,” me ç’rast zbriti ky ajet: {Dhe jepni për në rrugë të Allahut e mos hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë}[6], e shkatërrim për ne ishte kthimi tek pasuria dhe përmirësimi i gjendjes së saj duke e lënë fushëbetejën,dhe nuk është ndalur Ebu Ejjubi me ngulm, i palëkundur ne rrugën e luftës për hir të Allahut derisa është varrosur në tokën e romakëve”.[7]
28. Braktisja e aktivitetit për shkak të rrethanave të papritura dhe situatave të vështira
Pret të iu bëhet e qartë çdo gjë me shume lehtësi duke menduar se do ta gjej të vërtetën pa u lodhur, në gjumë, në plogështi dhe nuk mediton se si e gjetën këtë të vërtetë Ebu Bekri dhe Umeri, ... ulur?! Apo u ngritën dhe shpejtuan derisa e kuptuan atë.
Ibn Tejmije thotë: “Shumica e njerëzve në momentin kur e shohin një të keqe apo ndryshimin e madh të gjendjes se muslimanëve pikëllohen, lodhen dhe vajtojnë ashtu siç vajtojnë ata që janë goditur me sprova, edhe pse e kanë të ndaluar një veprim të tillë, por janë të urdhëruar të bëjnë durim, të mbështeten në Allahun, të kapen fort për fenë e Allahut, ta besojnë Atë sepse ata të cilët ia kishin frikën Allahut ishin vepërmirë, e nuk ka dyshim se përfundimi u takon të devotshmëve, e ajo që e godet besimtarin është për shkak të mëkateve por duhet të bëjë durim në këtë, ta dijë se premtimi i Allahut është i vërtetë, të kërkojë falje për mëkatet e tij, ta lavdërojë dhe falënderojë Allahun mëngjes e mbrëmje.
Muhamedi ﷺ thotë: “... pastaj do të rikthehet kjo fe si e huaj ashtu siç ka filluar, ndërsa kurbeti (vetmia) më e madhe është atëherë kur ata që janë brenda islamit dalin nga ai”.
Allahu i Lartësuar thotë: { … kush largohet prej jush nga feja e vet (i bën dëm vetes) s’ka dyshim se Allahu do ta sjellë një popull qe Ai e do dhe ata e duan Atë (Zotin), (një popull) që është modest e i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve, që lufton në rrugën e Allahut dhe që nuk i frikësohet kërcënimit të asnjë kërcënuesi ..}[8]
Këta janë ata të cilët i kthehen islamit kur të tjerët e braktisin atë.
Kjo fe filloi e huaj (e panjohur) derisa u forcua dhe u përhap, dhe njëjtë do të bëhet e huaj prapë në disa vende dhe disa kohëra, pastaj Allahu e forcon rishtazi.
Kjo kishte ngjarë para se ta merrte pushtetin Umer bin Abdulazizi, kur shumica e njerëzve e braktisën fenë e Allahut saqë kishte nga ata që nuk e dinin se alkooli është i ndaluar, por Allahu e rishfaqi të Vërtetën përmes Umer bin Abdulazizit”.[9]
Si nuk e kuptoi ky vëlla se nga kjo braktisje e thirrjes veç dobësohet besimi i tij!?
Ibn Kajjimi thotë: ”Na intereson fakti se humbja e kohës me vlerë të dërgon deri në shkallët me të ulëta të mangësisë edhe nëse e ruan progresivitetin në ngritje dhe plotësim por nëse e humbë atë, atëherë nuk ndalet me kaq pozita e tij por zbret edhe me tej, sepse nëse nuk është në veprim gjithsesi do mbetet mbrapa. Njeriu është në lëvizje dhe nuk ka mundësi të qëndrojë në vend, ose është duke u ngritur ose është duke rënë, ose ka ecur para ose ka mbetur prapa. Kurrsesi nuk ka në ligjin e Zotit, e as në natyrën njerëzore ndalje (ngecje); ose shpejton me nxitim për në Xhenet ose në Xhehenem, ose shpejton ose ngadalëson, ose përparon ose ngecë dhe nuk ka në këtë rrugë – gjendje të tretë (qëndrim në vend), por njerëzit ndryshojnë në bazë të drejtimit të zgjedhur, pastaj shpejtësisë apo ngadalësisë, siç thotë Allahu i Lartësuar: {S’ka dyshim se ai (Sekari) është një nga belatë më të mëdha. Është vërejtje për njerëz! Për atë nga mesi juaj që dëshiron të përparoje (në të mira) apo të ngecë. Secili njeri është peng i veprës së vet}[10]
Ky ajet nuk përmend se ka qëndrim ne vend sepse nuk ka pozitë mes Xhenetit dhe Xhehenemit dhe as përfundim tjetër përveç këtyre dy vendbanimeve, ai i cili nuk shpejton në punë të mira veçse ka mbetur mbrapa në punë të këqija.”[11]
29. Frika e humbjes së pozitës dhe influencës
Frika për këto gjëra e bën të largohet nga aktiviteti i thirrjes, kështu që shejtani e joshë se jeta është e shkurtër patjetër duhesh të ruash këto gjëra, dhe se ruajtja e tyre është strategji me vend.
Ahmedi shënon në librin e tij se Ebu Seid El-Hudrijj transmeton se Muhamedi ﷺ ka thënë: “Mos ta pengojë ndonjërin prej jush droja nga njerëzit për ta thënë të vërtetën në momentin kur e sheh apo është dëshmitar i saj, sepse të flasësh të vërtetën ose ta këshillosh dikë me pozitë as nuk ta shpejton caktimin e as nuk ta largon riskun (furnizimin) .”[12]
30. Aftësia e shejtanit për të hedhur në zemrën e tij dyshim dhe veçanërisht në kohën e fitneve
Në këto situata iu rikthehet veprimeve të tij të mëparshme jo për ti plotësuar boshllëqet e as për të rregulluar atë që la mangët, e as për ta shtuar kujdesin, por i ndryshon bindjet me argumente të paqëndrueshme.
Kësaj i frikësohej specialisti i fitneve Hudhejfe bin Jemani në momentin kur Ebu Mesud El-Ensarij kërkoi që ta këshillonte, ndërsa ai i tha: “Humbja më e madhe është që ta pranosh atë të cilën e mohoje dhe ta mohosh atë të cilën e pranoje (e dije). Kujdes nga ngjyrimi në fe! Sepse feja e Allahut është një.”[13]
Muhamed bin Sirini thotë se Adij bin Hatim (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Vërtet do vazhdoni të jeni në të mirën derisa të mos e pranoni atë që kundërshtuat dhe të kundërshtoni atë qe e pranuat dhe derisa te flas i dituri ne mesin tuaj pa u frikësuar nga askush.”[14]
Ibrahim bin Nekhaiu thotë: “Të parët e mirë (selefët) e konsideronin ngjyrimin në fe si dyshim (mosbesim) të zemrës në Allahun.”[15]
Malik bin Enes thotë: “Transferimi (lëvizjet e shpeshta) në fe janë sëmundje e pashërueshme.”[16]
31. Angazhimi dhe përpjekja me atë qe nuk mundet, gjë që rezulton në lodhje, demoralizim dhe braktisje të plotë të aktivitetit
A thua sa dekada e mundoi dhe e lodhi veten ky vëlla?! ...
A thua nuk ka lexuar ky vëlla nga historia e të dërguarve, prej tyre Nuhut (alejhi selam), për të cilin Allahu thotë: “Ne e dërguam Nuhun te populli i vet, e ai kaloi në mesin e tyre njëmijë pa pesëdhjete vjet, e ata meqë ishin horra i përfshiu vërshimi.”[17]
Ibn Kajjimi thotë: “Shtegtari për tek Allahu dhe bota tjetër, si dhe kërkuesi i çdo shkence, profesioni apo pozite, për tu ndjekur shembulli i tij duhet patjetër të jetë i lidhur drejtpërdrejt me atë që e kërkon, të jetë guximtar, trim i madh , i fortifikuar nga dyshimet, i pamposhtur nga iluzionet, indiferent ndaj çdo gjëje që nuk ka të bëjë me qëllimin e tij, i lidhur fort me atë drejt së cilës është drejtuar, ta dijë rrugën deri tek caku, ti dijë rrugët të cilat pengojnë në arritjen deri atje, të jetë i guximshëm në qëllimin e tij, gjakftohtë, të mos e zmbrapsë nga qëllimi i tij qortimi i qortuesit e as kritika e kritikuesit, të heshtë, të meditojë vazhdimisht, lavdërimi mos ta gëzojë dhe qortimi mos ta shqetësojë, të jetë vazhdimisht i preokupuar me shkaqet që e ndihmojnë në këtë rrugë, të mos e provokojnë ankesat, parulla e tij të jetë durimi …., pushimi i tij të jetë lodhja.”[18]
Ibn el-Munkedir thotë: “E kam munduar veten (egon) për dyzet vite derisa është drejtuar.”[19]
Thabit El-Bunanij thotë: “E kam munduar veten me namaz për njëzet vite, pastaj jam kënaqur në të për njëzet të tjera.”[20]
Mensur bin Ibrahim thotë se dikush prej të parëve të mirë ka thënë: “Ka njëzet vite që Rabia bin Hajthem nuk ka folur asnjë fjalë vetëm se është ngritur me të;” e disa të tjerë thanë: “Jam shoqëruar me Rabia bin Hajthem njëzet vite, asnjëherë nuk kam dëgjuar nga ai fjalë të turpshme.”[21]
Malik bin Enes thotë: “Pas Zejd bin Thabit, prijës i njerëzve ishte Abdullah bin Umeri, i cili për gjashtëdhjetë vite qëndroi duke i këshilluar njerëzit.”[22]
Rabia bin Jezid thotë: “Për dyzet vite rresht nuk më ka ndodhur të thirret ezani i drekës e të mos jem në xhami, përveç kur kam qenë i sëmurë ose në udhëtim.”[23]
Hadithologu me shumë autoritet Beshr bin Hasen, ishte bërë i njohur me nofkën “rreshtori” për shkak se për pesëdhjete vite me radhe ishte vazhdimisht në rreshtin e parë në xhaminë e Basras.”[24]
Është pyetur Kethir bin Ubejd El-Hanefij se ku qëndron shkaku që ti nuk harron asnjëherë në namaz, duke qenë se ishte prijës i besimtarëve të Humsit në namaz për gjashtëdhjetë vite të plota, kurse ai tha: “Nuk kam hyrë asnjëherë në xhami e të ketë në zemrën time diçka tjetër përveç Allahut.”[25]
Ibrahim El-Harbij tregon për Ahmed bin Hanbelin: “E kam shoqëruar njëzet vite, verë e dimër, në vapë dhe në të ftoftë, natën dhe ditën, dhe nuk e kam parë një ditë në të cilën nuk i ka shtuar veprat e mira prej ditës së kaluar.”[26]
Ebu Vefa bin Akil thotë: “Vërej se preokupimi im për dituri rreth të tetëdhjetave është më i fuqishëm sesa kur isha rreth të njëzetave.”
Ibn Kajimi thotë: “O ti me vullnet të thyer! Ku qëndron raporti yt me rrugën që ke marrë, rrugë në të cilën u lodh Ademi, qau për shkak të saj Nuhu, u hodh në zjarr Ibrahimi, u shtri për tu flijuar si kurban Ismaili, u shit me çmim të lirë e më pas u burgos Jusufi, u përgjysmua me sharrë Zekerija, u flijua për të Jahja, vuajti me sëmundje të rëndë në të Ejubi, u mbulua nga të qarët Davudi, kaloi me mall nëpër të Isai dhe përjetoi varfërinë dhe të gjitha llojet e torturave në të Muhamedi ﷺ; ndërsa ti vazhdon të krenohesh me dëfrim dhe lojë.”[27]
32. Shfajësimi i vetes dhe kënaqësia me atë në të cilën ndodhet
Sikur i flet një zë nga brenda: “Falënderimi i takon Allahut që më ka bërë prej të përzgjedhurve (të mirëve) dhe prej atyre që s’kanë asnjë mëkat; pastaj jo të gjithë njerëzit mund të jenë thirrës në këtë rrugë!”
Nuk e di se me çfarë të çuditem më parë nga ky njeri; me shfajësimin që ia bën vetvetes apo me injorancën e tij rreth faktit se vetë mangësia e tij në thirrje për në rrugën e Allahut është prej mëkateve!
Ibn Kajimi thotë: “Fe nuk është vetëm lënia e mëkateve që bëhen haptazi, por së bashku me ketë edhe kryerja e obligimeve të cilat i do Allahu; e shumica e besimtarëve nuk i kushtojnë rendësi këtyre çështjeve përveç veprave të cilat i kryejnë shumica e njerëzve, siç është namazi dhe agjërimi, e sa i përket xhihadit, urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, këshillimit për Allahun dhe të dërguarin e Tij, ndihmën e Allahut (fesë së Tij), të dërguarit, dhe librit të Tij, këto obligime as që i bien ndërmend, e aq më pak të kenë dëshirë për kryerjen e tyre apo veprimin e tyre. Njeriu me i urryer tek Allahu është ai më i dobëti në fe; pra, më i urryeri qenka ky që nuk i kryen këto obligime, edhe nëse tek ai vëren se nuk po e preokupon asgjë nga kjo botë. Pak nga njerëzit i sheh se u skuqet fytyra për hir të Allahut apo sakrifikojnë në ndihmë të fesë së Tij; mëkatarët e mëdhenj janë më të mirë tek Allahu se sa të tillët.”[28]
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, ruajeni veten tuaj! Ai që ka humbur nuk ju dëmton nëse jeni në rrugë të drejtë. Kthimi i të gjithë juve është tek Allahu dhe Ai ju njofton për atë që vepruat.}[29]
Ibn Tejmije thotë: “Udhëzimi plotësohet vetëm atëherë ku i bindesh Allahut dhe i kryen obligimet e Tij, prej urdhëresave dhe ndalesave, porse nga ajeti i lartcekur dalin dobi madhështore:
- E para: Ajeti thërret që besimtari të mos ketë frikë nga pabesimtarët dhe dyfytyrëshat, sepse ata nuk mund ti bëjnë dëm nëse është i udhëzuar.
- E dyta: Besimtari mos të pikëllohet e as demoralizohet ndaj tyre sepse mëkatet e tyre nuk të bëjnë dëm nëse je i udhëzuar, ngase brengosja për atë që nuk të bën dëm është e kotë; këto dy kuptime gjithashtu ndodhen edhe tek ajeti: “Pra, të jesh i durueshëm! E durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Ti mos u pikëllo për ta, e as mos u brengos për dredhitë që bëjnë.}[30]
- E treta: Që të mos mbështetet tek ata e as mos ta kthej shikimin në atë që iu është dhënë atyre prej pushtetit, pasurisë dhe kënaqësive, ashtu siç thotë Allahu: “E ty mos të të shkojnë kurrsesi sytë në atë me çka Ne i pajisëm disa prej tyre, e as mos u brengos për ta (pse nuk besuan), kurse ndaj besimtarëve ji i përulur dhe i butë.”[31] Allahu ndaloi nëpërmjet këtij ajeti nga brengosja për ta dhe nga lakmia ndaj asaj në të cilën ndodhen ata prej pasurisë, dhe në ajetin tjetër ndaloi nga brengosja për ta dhe nga frika prej tyre, sepse njeriu ka mundësi të ndjejë dhimbje për ta qoftë nga dëshira apo qoftë nga frika.
- E katërta: Që të mos i armiqësojë mëkataret më tepër se sa lejohet, duke i urryer, qortuar, ndaluar, braktisur apo dënuar mbi masën e caktuar me ligj, por i thuhet atij: “Kujdesu për veten tënde sepse nuk të bën dëm ai që ka devijuar nëse ti je në udhëzim, siç thotë Allahu: “… dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e ti shmangeni drejtësisë …”[32]. Poashtu thotë: “Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë, dhe mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën).”[33] Allahu gjithashtu thotë: “… E në qoftë se ndalen (nga propaganda dhe lufta), atëherë lëreni armiqësinë, përveç ndaj atyre që janë zullumqarë!”[34]
Shumica e atyre që urdhërojnë dhe ndalojnë nga e keqja i tejkalojnë kufijtë e Allahut, qoftë për shkak të injorancës ose për shkak të padrejtësisë, prandaj në këtë aspekt patjetër duhet të ketë bindje dhe siguri; e poashtu e njëjtë është çështja edhe atëherë ku i kundërshtojnë pabesimtarët, dyfytyrëshat, të prishurit dhe mëkatarët në përgjithësi.
- E pesta: Që të urdhërojë në të mirë dhe të ndalojë nga e keqja në formë të ligjshme, me dituri, butësi, durim, qëllim të drejtë, dhe rrugë të duhur.
Këto janë pesë aspekte që përfitohen nga ky ajet për atë që obligohet me urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja, poashtu në këtë ajet ka edhe një kuptim tjetër:
- E gjashta: Angazhimi i besimtarit për të mirën e vetes dhe stolisja me dituri, poashtu angazhimi me punë, largimi prej asaj që nuk i intereson, ashtu siç thotë Muhamedi ﷺ: “Nga Islami i mirë i njeriut është braktisja e asaj që nuk i intereson;” e aq me tepër gjërat për të cilat nuk ka nevojë as në fenë e as në dynjanë e tij. Nga këto gjëra psh., nëse ka të bëjë me të folurit, duke qenë kjo ose për shkak të zilisë ose për shkak të pozitës. Poashtu nëse ka të bëjë me vepër vepruesi i së cilës është armik i padrejte ose është mendjelehtë dhe i shkujdesur.
Të shumta janë rastet kur shejtani e shfaq kurthin e tij në formë të urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja, apo luftës në rrugën e Allahut, ndërsa në realitet e gjithë kjo bëhet me armiqësi dhe padrejtësi.
Meditimi i këtyre ajeteve në lidhje me këto çështje është prej dobive më të mëdha për njeriun, dhe sikur të meditonim në lidhje me përçarjet që ndodhin mes këtij umeti, dijetarëve të tij, adhuruesve, urdhëruesve në të mirë dhe prijësve, do të gjesh se shumica e tyre kanë dështuar në këto aspekte të cilat i nxorëm nga ajetet e mësipërme, dhe kjo ose për shkak të degjenerimit ose për shkak të devijimit, ashtu siç devijuan Xhehmitë[35] nga rruga e ehli sunetit[36] në Cilësitë e Allahut dhe në çështjen e Kur’anit siç dihet përballe tyre qëndronte Imam Ahmedi, poashtu në këtë mënyrë devijuan Rafiditë nga ehli suneti në shumë raste, pastaj kështu e kundërshtuan Aliun mashtruesit e tij dhe familjes se tij, gjithashtu Ngjasuesit (ata që i ngjasuan Cilësitë dhe Emrat e Allahut me ato të krijesave) devijuan nga rruga e atyre të cilët nuk i atribuojnë Allahut asnjë mangësi; gjithashtu edhe brenda ehli sunetit kishte kundërshti, qoftë duke shtuar ndonjë risi nga ajo që ka zbritur Allahu, e kjo është tejkalim i normave të përmendura në ajet: “… Zoti ynë, na i fal mëkatet tona dhe lëshimet në punët tona.” [37] Përballë gjithë këtyre kundërthënieve dhe armiqësive qëndron neglizhenca e të tjerëve në atë që i obligon kjo fe, si: urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja dhe çështje të tjera në përgjithësi.
Sa mirë thanë disa nga të parët e mirë: “Nuk ka urdhëruar Allahu për ndonjë çështje veçse është paraqitur shejtani me dy opsione, dhe nuk brengoset se me cilën prej atyre dyjave do ta sfidojë njeriun, teprim ose shkujdesje (mangësi).”
Përballe ndihmësit për mëkat dhe armiqësi qëndron i shkujdesur ndaj ndihmës për të mirë dhe devotshmëri.
Përballe atij që vepron me atë që është urdhëruar por edhe i kalon kufijtë qëndron ai që u largua nga të ndaluarat por bashkë me to braktisi edhe disa urdhra.
Allahu na udhëzoftë në rrugë të drejtë, vetëm Ai ka pushtet të bëjë një gjë të tillë dhe askush tjetër.”[38]
( ... vazhdon)
Përktheu nga gjuha arabe, Shaqir Karaliti
Kasim, Arabi Saudite
[1] Ibn Tejmije ne Mexhmual Fetava (k.18/fq.283)
[2] Ahmed ne Musned (hdth.15224),Tirmidhiu ne Sunen (hdth.2298),Darimiu ne Sunen (hdth.2614)
[3] Muhamed Rashid ne El-Avaik (fq.88)
[4] Tehdhibu Tehdhib (k.7/fq.7)
[5] I pa të meta qoftë Allahu!
[6] Ali-Imran (195)
[7] Tirmidhij ne Sunen (hdth.22898),dhe Ebu Davudi ne Sunen (hdth.2151)
[8] El-Maide (54)
[9] Ibn Tejmije ne Mexhmual Fetava (k.18/fq.295-297)
[10] El-Muddethir (35-38)
[11] Ibn Kajjim ne Medarixhu Salikin (k.1/fq.267)
[12] Ahmedi ne Musned (hdth.11048)
[13] El-Ibanetu (k.1/fq.189-190)
[14] El-Ibanetu (k.1/fq190-191)
[15] El-Ibanetu (k.2/fq.505)
[16] El-Ibanetu (k.2.fq.605)
[17] Ankebut (14)
[18] Ibn Kajjimi ne Fevaid (fq.19)
[19] Edh-Dhehebij ne Sijeru Alamu Nubela (k.5/fq.355)
[20] Hiljetu Evlija (k.2/fq.321) dhe Sijeru Alamu Nubela (k.5/fq.224)
[21] Edh-Dhehebij ne Sijeru Alamu Nubela (k.4/fq.259)
[22] Po aty (k.3/fq.221)
[23] Po aty (k.5/fq.240)
[24]Tehdhibu Tehdhib (k.1/fq447)
[25] Po aty (k.8/fq.424)
[26] Imam Ahmedi ne Kitabu Zuhd (fq.11) dhe Ibn Xhevzi ne Menakibu Imam Ahmed (fq.140)
[27] Ibn Kajimi ne Fevaid (fq.56)
[28] Ibn Kajimi ne Idetu Sabirin (fq.121)
[29] El-Maide (105)
[30] En-Nahl (127)
[31] El-Hixhr (88)
[32] El-Maide (8)
[33] El-Bekare (190)
[34] El-Bekare (193)
[35] Grup që me besimin e tyre kanë devijuar nga rruga e saktë e ehlu sunetit
[36] Ndjekesit e tradites se Muhamedit salallahu alejhi ve selem dhe te pareve te mire
[37] Ali Imran (147)
[38] Ibn Tejmije ne Mexhmual Fetava (k.14/fq.283,480)