33. Përqendrimi (i thirrjes) vetëm në një shtresë të shoqërisë
Përqendrohet vetëm në një shtresë të shoqërisë dhe mendon se duhet të punohet vetëm me ata, por nëse dështon me këtë shtresë atëherë e godet dëshpërimi dhe dekurajohet, duke harruar kështu se kjo fe nuk është vetëm për një grup të caktuar apo vetëm për një shtresë të caktuar të shoqërisë.
Zërat për ta neglizhuar ndonjë shtresë të shoqërisë konsiderohen prej mangësive në rrugën e thirrjes dhe fundi i tyre është dështim.
Nuk ka dyshim se prej veçorive dalluese të thirrjes islame është se përfshinë të gjitha shtresat e shoqërisë, është në funksion të çdo klase shoqërore, prandaj në shoqëri nuk mund të ketë musliman i cili është element i parëndësishëm, i paarritshëm ose i nënvlerësuar, kushdo qoftë ai.
Nga përsosmëria dhe gjithanshmëria e kësaj feje është se i drejtohet gjithë shoqërisë, është në funksion të çdo pjesëtari të këtij umeti pa e kthyer kokën për të parë se çfarë identiteti apo pozite kanë.
Harithetu bin Vehb thotë se kam dëgjuar Muhamedin ﷺ të ketë thënë: “A t’ju tregoj për banorët e xhenetit? “Çdo i dobët dhe i rraskapitur i cili sikur betohej në Allahun për një çështje Ai do ti përgjigjej,” pastaj tha: “A t’ju tregoj për banoret e zjarrit? “Çdo kokëfortë, kryelartë dhe mendjemadh.”[1]
Ebu Hurejre thotë se Muhamedi ﷺ ka thënë: “Do të vijë në Ditën e Gjykimit një njeri i madh dhe i shëndoshë por që te Allahu nuk peshon as sa krahu i mushkonjës.”[2]
Gjithashtu thotë se Muhamedi ﷺ ka thënë: “Ka nga ata me flokë të pakrehura, të përplasur pranë dyerve, të cilët sikur ti betoheshin Allahut do t’u përgjigjej.”[3]
Sehl bin Sa’d Es-Saidij thotë: “Kaloi një njeri pranë të Dërguarit, me ç’rast i Dërguari ﷺ e pyeti dikë që ishte afër tij: “Çka mendon për këtë njeri?” Tha: “Prej njerëzve më të ngritur, i cili sikur të kërkonte martesë me ndonjë vajzë do të martohej dhe sikur të kërkonte ndërmjetësim do të ndërmjetësohej për të.” Muhamedi ﷺ heshti derisa kaloi pranë një njeri tjetër, e pastaj bëri të njëjtën pyetje, ndërsa iu përgjigjën: “O i Dërguar i Allahut, ky është nga të varfrit e muslimanëve, prej atyre që sikur të kërkonte grua nuk do ti epej, sikur të kërkonte ndërmjetësim nuk do të ndërmjetësohej për të, dhe nëse thotë diçka nuk i vihet veshi fjalëve të tij,” porse Muhamedi ﷺ tha: “Ky është më i mirë se ai dhe më i mirë se gjithë toka e mbushur me të atillë.”[4]
Imam Shatibiu thotë: “Thuhet se farzi kifaje është obligim mbi të gjithë njerëzit nëse askush nuk e kryen atë, sepse kryerja e këtij obligimi është në interes të përgjithshëm, prandaj të gjithë ata obligohen me kryerjen e tij; por disa njerëz janë të denjë për ta kryer e të tjerët nuk kanë mundësi ta kryejnë, por këta të fundit kanë mundësi ti përzgjedhin ata të parët. Kush ka mundësi të udhëheqë atëherë kjo është e kërkuar prej tij, ndërsa kush nuk ka mundësi për një gjë të tillë le të zgjedhë atë që ka mundësi. Pra, përfundimisht ai që është i aftë ta kryejë një punë (në interes të përgjithshëm), kjo për të është obligim (farz), kurse ata që nuk kanë mundësi, obligimi i tyre është përzgjedhja e personave adekuat, dhe kjo hyn nën rregullin: “Nëse nuk plotësohet obligimi vetëm se përmes një vepre të caktuar, atëherë edhe kjo vepër bëhet obligim.”[5]
34. Çrregullimet, përhapja dhe shtimi i tyre, pastaj fortifikimi i shumë të këqijave e bëjnë të izolohet dhe ti braktisë njerëzit
Sa lehtë braktisi njerëzit dhe nuk e mbajti përgjegjësinë?!
Transmeton tabi’iju i njohur dhe fekihu i shquar nga qyteti i Kufës, Amir Esh-Sha’bij, se: “Disa njerëz e braktisën Kufën dhe vendosën të banojnë jashtë saj për ta adhuruar Allahun të lirë. Kur Abdullah bin Mesudi mori vesh për këtë shkoi tek ata. Ata u gëzuan me ardhjen e tij, ndërsa ai u tha: “Çka ju shtyri ta bëni këtë?” Thanë: “Dëshiruam të largohemi nga turma e njerëzve që ta adhurojmë Allahun më lehtë.” Abdullahu iu kthye: “Sikur të vepronin të gjithë atë që vepruat ju atëherë kush do të luftonte me armikun?” Pastaj tha: “Unë nuk do të lëvizë nga këtu përderisa të mos ktheheni në vendin tuaj.”[6]
Ibn Xhevzij thotë: “Me të vërtetë pozita e asketëve është sikurse e lakuriqëve të natës, ata e izoluan veten nga njerëzit, porse kjo do të ishte e lavdëruar nëse nuk do të pengonte nga veprimi i më të dobishmes, ndjekjes së xhematit (bashkësisë), përcjelljes së xhenazes, vizitës së të sëmurëve; Realiteti tregon se këta janë frikacakë, ndërsa trima janë ata që mësojnë dhe i mësojnë të tjerët, e ky është roli i pejgambereve.”[7]
Kujtuan se fe është izolimi i murgut …
… sa për ti medituar lutjet dhe faljet
Çudi me ata që pjesërisht besuan …
… kurse pjesën tjetër aq lehtë e mohuan
Por feja është dhe mbetet me obligime …
… kërkimfalje nga Allahu dhe shumë nafile
Feja është një fushë e madhe dhe pa kodrina …
… kalorësit e saj eliminojnë të keqën si trima
Feja është ligj, dhe me emrin e Allahut ashtu do mbetet …
… por me drejtësi e pa turbullira
Përmbyllje
Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, ndërsa paqja dhe përshëndetjet e Allahut janë për të Dërguarin e Tij; e më pas;
Besoj se të gjithë e kuptojmë rendësinë e thirrjes për tek Allahu i Lartësuar, urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Përgjegjësia rëndon mbi gjithë shoqërinë dhe mbi gjitha shtresat e saj, e pastaj mjetet dhe mundësitë e saj.
Kontributi për fe është obligim e gjithë shoqërisë. Është diçka që i përket secilit. Por është obligim më i madh për muslimanin në përgjithësi dhe për thirrësin e kërkuesin e diturisë në veçanti, në mënyre që të jetë në shërbim të islamit dhe thirrjes në të, dhe poashtu në mbrojtje të nderit të tij.
Le ta dijë çdo besimtar se në këtë jetë, ose do të ecë në drejtim të së mirës dhe besimit, ose do të mbetet mbrapa në mangësi dhe mëkate, sepse në këtë botë nuk ekziston një gjendje e ndaljes dhe pushimit. Pra le te kujdeset secili besimtar për veten e tij dhe le të bëjë llogari të vetvetes, le të jetë syçelë e mos të bie në shkallë të ulëta pa e vërejtur.
Për hir të Allahut, o bartës i dijes dhe thirrjes islame, mos të të sfidojnë të humburit dhe propaganduesit e çrregullimeve! Nëse ju dobësoheni dhe demoralizoheni, ata do të mbizotërojnë mbi ju, familjet dhe fëmijët tuaj, ndërsa Allahu thotë: “Nëse ju ndjeni dhembje, edhe ata ndjejnë dhembje sikurse ju, porse ju shpresoni nga Allahu çka ata nuk shpresojnë. Allahu është i dijshëm, ligjdhënës i matur.”[8]
Shiko vëlla i nderuar se sa ke kapital prej veprave të mira, sa është hisja jote e përgjegjësisë, cili është kontributi yt në ketë karvan të cilit i prijnë Profetët të cilët shtegtojnë për në Xhennet. Përse zgjedh të mbetesh mbrapa dhe të largohesh nga rruga e tyre për shkak të shpërdorimit dhe pakujdesisë tënde?!
O vëllai im, Allahu të dhashë sukses! Vërtet thirrja për tek Allahu, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja është detyrë e shoqërisë dhe obligim i çdonjërit. Kush e kupton një ajet nga libri i Allahut e ka për detyrë që t’ua mësojë të tjerëve; kush ka mësuar një thënie të Muhamedit ﷺ obligohet me shpërndarjen e saj; Kush e ka kuptuar një mesele të fik’hut obligohet që t’ua mësoje atë të tjerëve që të përfitojnë nga ajo.
S’ka dyshim se mënyrat dhe rrugët e thirrjes janë shtuar; pra ti ku e ke drejtuar shtizën tende? Përse shumica e xhamive qajnë për numrin e vogël të falësve? Përse në shumicën prej tyre nuk mbahen mësime dhe udhëzime. Fshatrat dhe vendbanimet po ankojnë nga injoranca, dhe janë përmalluar për mësuesin e së mirës. Gazetat dhe revistat kanë mbetur të zbrazura nga ata që mbështeten në argumentet e Allahut atëherë kur flasin.
Vërtet thirrja për tek Allahu është më madhështore sesa ta monopolizojnë ata një grup njerëzish, është më e madhe sesa të kufizohet vetëm brenda disa sezoneve të veçanta dhe rasteve të kufizuara.
Da’veti (thirrja) është ajet që duhet të lexohet, është hadith që duhet të transmetohet, është mësim të duhet të shpjegohet, është libër që duhet të botohet, është hutbe që duhet të shkruhet, është ligjërim që duhet përçohet, është revistë që duhet të përhapet, është incizim që duhet të shpërndahet, është këshillë që duhet të jepet, është dhikër që të tjerëve duhet t’u mësohet, është pasuri e lejuar që duhet të shpenzohet, është dituri e dobishme që duhet të shpërndahet, është urdhër dhe ndalesë, është lidhje dhe bamirësi, është sjellje e mirë me fqinjin, dhe për të kanë nevojë edhe varfanjakët dhe nevojtarët.
Pra, shpejto dhe garo në rrugët e së mirës dhe shtigjet e së vërtetës.
Muslimi shënon se Ebu Hurejre thotë se Muhamedi ﷺ ka thënë: “Shpejtoni në punë të mira në kohën e trazirave që përngjajnë me një copë errësire të natës; njeriu gdhihet në to besimtar e ngryset jobesimtar, apo ngryset besimtar e gdhihet jobesimtar, e shet fenë e tij për një ofertë të kësaj bote.”[9]
E lus Allahun e Lartësuar me Emrat e Tij të bukur dhe Cilësitë e Tij të larta që ta ndihmojë fenë e Tij dhe të na bëjë prej ndihmëtareve të saj dhe ta ngritë Fjalën e Tij; të vendosë përfundimisht për ketë umet gjendje të qëndrueshme ata që i nënshtrohen Atij ndihen krenarë ndërsa ata që i bëjnë mëkat ndihen të poshtëruar; ku urdhërohet në të mirë dhe ndalohet nga e keqja!
Lutjet tona dhe përshëndetjet ia dërgojmë Muhamedit ﷺ, familjes dhe shokëve të tij!
(Fund).
Përktheu nga gjuha arabe, Shaqir Karaliti
Kasim, Arabi Saudite
[1] Muttefekun alejhi
[2] Muttefekun alejhi
[3] Muslimi ne Sahih (hdth.4754)
[4] Buhariu ne Sahih (hdth.5966)
[5] Imam Esh-Shatibij ne Muvafakat (k.1/fq.178-179)
[6] Ibn Mubarek ne Ez-Zuhd (fq.390)
[7] Ibn Xhevzij ne Sajdul Hatir (fq.224)
[8] En-Nisa (104)
[9] Muslimi ne Sahih (hdth.118)