Youtube/Tezkije
Profeti kërkoi që ti lexohej Kur’an pastaj qau …
Abdurrahman ibn Abdulaziz ed-Dihami
 27.01.2016

(... artikulli paraprak)

Vëlla i bekuar!

Vërtetë ndikimi i Kur’anit të madhëruar është një gjë tashmë e ditur, prandaj nuk është aspak për tu çuditur me gjurmët që ka lënë ai pikë së pari te Profeti ynë , duke qenë se ishte njeriu që më së shumti u ndikua nga ai. E si të mos jetë kështu kur Allahu i Lartësuar e ka zbritur Kur’anin në zemrën e tij; kur ai e dëgjonte Fjalën e Allahut lotët i shkonin rrëke, gjë që është përcjellë nga Abdullah ibn Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të) në fjalët e tij: “Profeti më tha: “Më lexo mua Kur’an!” I thashë: “O Pejgamberi i Allahut! A ta lexoj ty atë kurse ai ty të është zbritur?!” Tha: “Po.” Kështu që ia lexova suren Nisa, derisa mbërriva në ajetin: "Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!" Nisa, 41; Tha: "Mjafton tani!" U ktheva kah ai dhe ja nga sytë e tij rridhnin lotët." Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Ndërsa në transmetimin e Muslimit qëndron: "Ibn Mes'udi (Radijallahu 'anhu[1]) tha: "Pastaj ngrita kokën dhe pashë lotët e tij të rridhnin."[2]

Imam ibn Batali (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: "A nuk po e sheh se ai qau kur e dëgjoi atë, dhe kjo qarje e tij ishte shenjë se aty qëndron një mësim - me këtë ajet ai ia përkujtoi vetes së tij lemeritë e Ditës së Kijametit dhe atë gjendje të rëndë e të vështirë në të cilën do të thirret për të dëshmuar për umetin e tij me dëshmitë e tij, me imanin e tij dhe kërkesën të cilën e kishte bërë më herët (në këtë dynja) për të ndërmjetësuar për ta, për t'ua lehtësuar atyre qëndrimin e gjatë dhe vështirësitë e tij, ... e kjo është një gjendje që vërtetë meriton qarje të zgjatur dhe mërzi."[3]

Ndërsa Hafëz ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) shkakun e qarjes së tij e përshkroi me fjalët: "Ajo që del në pah është ai qau si mëshirë për umetin e tij, sepse ai e dinte se s'ka rrugëdalje nga dëshmia për ta sipas veprave të tyre, ndërsa veprat e tyre ka mundësi që nuk do të jenë të qëndrueshme, gjë që mund të dërgojë te dënimi i tyre, Allahu e di më së miri."[4] 

Paramendoje - Allahu të mëshiroftë - përshkrimin që Kur'ani i ka bërë gjendjes së shoqëruesve të Kur'anit në momentin kur e dëgjojnë atë: "Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush." Zumer, 23.

Ky ajet fisnik na e bëri të qartë se treguesi më i qartë i udhëzimit është që njeriu të jetë në këtë gjendje të rrëqethjes e cila kaplon lëkurën e tij kur lexohen ajete kërcënuese, ndërsa kur dëgjon ajete shpresëdhënëse dhe premtuese lëkura e tij bëhet sërish e lëmuar e zemra e tij qetësohet; gjithë kjo, për shkak të kuptimit të këtij premtimi në njërën anë dhe kërcënimi e frikësimi në anën tjetër, e kjo përfaqëson gjendjen e vërtetë të një besimtari, i cili udhëton drejt Allahut duke shpresuar dhe duke pasur frikë.

Hafëzi Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: "Domethënë: Kjo cilësi u takon atyre që Allahu i ka udhëzuar, ndërsa kush ndodhet në të kundërtën e kësaj, ai është prej atyre që Allahu i ka humbur: "Atë që Allahu e humbë, s'ka kush e udhëzon." Ra'd, 33.

Allahu i Lartësuar, duke përshkruar gjendjen e robërve të të Gjithëmëshirshmit, ka thënë: "... edhe ata që, kur paralajmërohen me shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër." Furkan, 73. Hafëz Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) tha për këtë: "Gjatë dëgjimit të tyre, nuk kanë qenë të zënë me diçka tjetër e as të pavëmendshëm, por të përqendruar me gjithë qenien e tyre, kanë kuptuar dhe kanë parë me kujdes kuptimet e tyre, duke qenë kjo njëkohësisht shkak që i ka bërë ata të veprojnë sipas tyre dhe të bien në sexhde gjatë dëgjimit të tyre duke qenë të bindur, e jo duke qenë injorant ndaj tyre dhe duke pasuar verbërisht të tjerët."[5]

E si të mos qajmë ne sot për vetet tona me gjithë këtë rebelim që kemi ndaj Fjalës së Zotit tonë, dhe preokupim me gjëra të tjera të pavlefshme të dynjasë sonë, ndërsa atë (Kur'anin) Allahu i Lartësuar e ka zbritur për udhëzimin tonë, për të na mëshiruar dhe për të na bërë krenar e të lumtur?!

Allahu i pa të meta ka thënë: "Vallë, a nuk u mjafton atyre që Ne të kemi shpallur ty Librin që u lexohet atyre? Me të vërtetë që në të ka mëshirë dhe këshillë për njerëzit që besojnë." Ankebutë, 51. Po, pasha Zotin, me të vërtetë kjo na mjafton! Imam Shafi'u (Allahu e mëshiroftë) thotë: "Sikur të gjithë njerëzit të mendonin thellë rreth sures el-Asr do t'u mjaftonte."[6] Ndërsa dijetari i Islamit Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë për fjalën e tij: "Eshtë ashtu siç ka thënë." [7]

E si të mos jetë kështu kur këto sure madhështore i ka zbritur Allahu i Lartësuar!

Allahu i madhëruar ka folur të vërtetën kur ka thënë: "Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje." Isra, 82. Prandaj vaj halli për atë që ia kthen shpinën Kur'anit dhe kërkon udhëzimin diku tjetër!

Pastaj medito - Allahu të mëshiroftë - rreth asaj se si Kur'ani është përshkruar këtu si shërim, e nuk është përshkruar si ilaç! Sepse ilaçi ka mundësi të bëj dobi por ka mundësi edhe të dështojë, e bile ka mundësi edhe të të bëjë dëm, për dallim prej shërimit i cili është rezultatit përfundimtar që vjen si pasojë e trajtimit me ilaçe. Prandaj, Kur'ani Fisnik është mëshirë për njerëzit, porse ata u përçanë në raport me pranimin e kësaj mëshire, kështu që ata që e pranuan atë me zemër të hapur dhe terren të përshtatshëm, patën dobi prej tij dhe u ngritën, dhe Kur'ani u bë argument pro tyre dhe shërim për sëmundjet e epsheve dhe dyshimeve; e sa u përket atyre që nuk e kthyen kokën fare kah ai - Allahu na ruajtë - Allahu i humbi ata si dëmshpërblim ndaj kësaj, sepse çdonjëri që kërkon udhëzim me diçka tjetër pos Kur'anit, Allahu do ta humbasë atë, sepse Ai i Lartësuari tha: "Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’ia caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm. Në të vërtetë, djajtë i shmangin jobesimtarët nga rruga e drejtë, ndonëse ata mendojnë se janë të udhëzuar drejt." Zuhruf, 36-37.

Në një transmetim është thënë: "Kush e braktis atë nga kryeneçësia Allahu do ta thyejë atë, ndërsa kush e kërkon udhëzimin te disush tjetër pos tij Allahu do ta humbasë atë," e përcjellë tek ne Tirmidhiu.[8]

Shejhul-Islam ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: "Për këtë arsye, vëren se kushdo që ka shtuar dëgjimin e kasideve (ilahive) në kërkim të rregullimit të zemrës së tij, atij i zbehet dëshira për të dëgjuar Kur'an, aq sa ndoshta edhe e urren atë." [9]

Kjo nëse ai është duke synuar që prej tyre të merr këshillë dhe udhëzim, e çfarë të themi për ata që i dëgjojnë këto kaside pa pasur fare këtë qëllim!?

Prej bereqetit të këtij Kur'ani është edhe ajo që është quajtur "shërim nga sëmundjet dhe qetësim i dhembjeve," siç është transmetuar nga Ebi Said el-Hudrij (Radijallahu anhu) se ka thënë: "Një grup i sahabëve të të Dërguarit u nisën për një udhëtim, derisa arritën tek një lagje prej lagjeve arabe prej të cilëve kërkuan konak, por ata refuzuan, pastaj prijësi i kësaj lagjeje u pickua nga akrepi. Ata provuan ta shëronin me çdo gjë që kishin por asgjë si bënte dobi. Pastaj disa prej tyre thanë: "Sikur të kishit shkuar tek ajo turma që na erdhën më herët, ndoshta dikush prej tyre ka ndonjë gjë që i bën dobi." Kështu ata shkuan tek ata dhe u thanë: "O ju njerëz! Zotëriu ynë është pickuar nga akrepi, provuam çdo gjë por nuk po i bën dobi, pra a mos ka dikush nga ju diçka që i bën dobi? Njëri prej tyre tha: "Po, pasha Allahun unë di të bëj rukje,[10] mirëpo, pasha Allahun, për shkak se ne ju kërkuam juve konak e ju nuk na pranuat si mysafirë, unë nuk do t'ju bëj rukje juve përderisa të mos na e caktoni një çmim për këtë." Ata u pajtuan që t'ua jepnin një kope delesh, kështu që ai filloi ti këndonte Kur'an atij duke e spërkatur me pështymë, dhe lexonte: "el-hamdu lil-lahi rabbil-aleminë;" pas kësaj i sëmuri sikurse u zgjidh nga një litar, dhe filloi të ecte sikur të mos kishte pasur asnjëherë dhembje, pastaj tha: "Jepuani atyre çmimin për të cilin u morët vesh me ta!" Pastaj njëri prej tyre tha: "Ndajeni me njëri-tjetrin!" Ndërsa ai që kishte bërë rukje tha: "Mos veproni ashtu para se të arrijmë tek i Dërguari dhe t'ia tregojmë atë çfarë ndodhi, dhe të shikojmë se me çka po na urdhëron!" Pastaj shkuan te Profeti dhe ia treguan atij të gjitha. Profeti i tha atij: "E çfarë të bëri ty ta dish se ajo (surja Fatiha) është rukje?" Pastaj tha: "Ia keni qëlluar. Ndajeni kopenë mes jush dhe lërmani edhe mua një hise;" pastaj qeshi i Dërguari i Allahut ."[11] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Dijetari i madh Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Ky hadith ngërthen në vete arritjen e shërimit të atij që u pickua nga akrepi përmes leximit të sures el-Fatiha, gjë që si rrjedhojë i mjaftoi atij ndaj çdo ilaçi tjetër, dhe ndoshta shërimi që u arrit përmes kësaj ia tejkaloi edhe efektit që do të kishin ilaçet; e gjithë kjo duke qenë në një rreth jo të denjë për bashkëpunim, ose për shkak se ishin lagje e jomuslimanëve, ose për shkak se ishin njerëz kopracë dhe dorështrënguar; e çfarë të themi sikur të kishte qenë edhe vendi i gatshëm për bashkëpunim!”[12]

Bereqeti i Kur’anit Famëlartë është gjithëpërfshirës, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ndërsa ky (Kuran) është Këshillë e bekuar, të cilën Ne e kemi shpallur, prandaj, si mund ta mohoni ju atë?!” (Enbija, 50). Dijetari i madh Tahir ibn Ashuri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Përshkrimi i Kur’anit si i bekuar përfshin çdo aspekt të mirësisë, sepse bereqeti është mirësi e shtuar, ndërsa Kur’ani është i gjithi mirësi, në aspektin e retorikës së shprehjeve të tij dhe bukurisë së tyre, mundësisë së mësimit të shpejtë përmendësh dhe lehtësisë së leximit të tij, e gjithashtu është mirësi në aspektin e artit të të shprehurit dhe urtësisë, sheriatit dhe dobive të retorikës, e pastaj me të gjitha këto së bashku ai është argument për vërtetësinë e atij që ka ardhur me të, sepse njerëzit nuk ishin të aftë që të sillnin diçka të tillë, edhe pse Profeti i sfidoi ata me një gjë të tillë, ata prapë s’patën mundësi.”[13]

Imam Sujuti (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Vërtetë Libri ynë Kur’ani është vendshpërthimi i të gjitha dijeve dhe vendburimi i tyre, është orbita e diellit të tyre dhe pikënisja e tyre, Allahu i Lartësuar në të ka vendosur diturinë e çdo gjëje dhe ka sqaruar në të çdo udhëzim dhe çdo mëkatim, prandaj sheh se çdo gjë e bukur, prej tij është nxjerrë dhe në të mbështetet; Juristi nxjerr prej tij vendimet, dhe prej tij nxjerr diturinë rreth hallallit dhe haramit; Gjuhëtari nxjerr prej tij rregullat gjuhësore dhe kthehet tek ai për ta marrë vesh nëse ka gabuar apo ia ka qëlluar; Ai që merret me retorikën udhëzohet përmes tij për radhitje sa më të bukur dhe merr në konsideratë metodat e retorikës në formulimin e fjalisë; Pastaj, në të ka tregime dhe lajme me të cilat përkujtohen ata që kanë vizion, e gjithashtu këshilla e shembuj përmes të cilave marrin mësim njerëzit që kanë mendje dhe përkujtojnë; e kështu me radhë dituri të tjera të cilave nuk ua di kush shtrirjen përveç atij që ua di përkufizimin. Pra, të gjitha këto, duke ua shtuar edhe rrejdhshmërinë e shprehjeve dhe kulminacionin e stilistikës, mahnisin mendjet, uzurpojnë zemrat; e sa i përket kompozimit të tij mahnitës, atë s’ka mundësi ta bëjë tjetër kush pos Atij që njeh të gjitha fshehtësitë.”[14]

Prej bereqetit të Kur’anit është edhe “shumëfishimi i veprave të mira” me leximin e tij, siç ka thënë Profeti : “Kush lexon një harf (shkronjë) nga libri i Allahut, atij do ti shkruhet një vepër e mirë, e kjo vepër e mirë e ka shpërblimin e dhjetë të tillave; Nuk po them “ ألم ” (Eliflamëmimë)  një harf, por “Elif” harf në vete, “Lam” harf në vete, dhe “Mimë” harf në vete.”[15] Transmeton Tirmidhiu.

Sipas kësaj llogarie del se në Kur’anin Fisnik ndodhen më shumë se tre milionë shpërblime, ndërsa: “Allahu ia shton kujt dëshiron.” (Bekare, 261); Sepse shkronjat e Kur’anit, siç është përcjellë nga Muxhahidi se ka thënë: “Kjo është ajo që kemi numëruar në Kur’an, se ai përmban: treqind mijë, e njëzetë e një mijë, e njëqind e tetëdhjetë e tetë shkronja.”[16]

Dijetari i shquar Tahir ibn Ashur (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kur’ani është i bekuar sepse ai udhëzon kah mirësia e madhe, i tërë bereqeti arrihet përmes tij, një bereqet i cili pothuajse i tëri ndodhet në shprehjet e tij, sepse Allahu i Lartësuar ka vendosur në të, për lexuesin e tij i cili angazhohet me të, bereqet në dynja dhe në ahiret; dhe për shkak se ai përmban në veten e tij atë që nëse futet në praktikë sjell plotësi të personalitetit dhe pastrim të tij përmes definicioneve teorike e fill pastaj praktike, prandaj bereqeti është i pandashëm prej leximit të tij dhe kuptimeve të tij.”[17]

Kur’ani Fisnik është i bekuar gjithashtu edhe në aspektin e punës me të, kështu që kush dëshiron mirësi, qetësi shpirtërore dhe lumturi, dhe shpëtim prej çdo gjëje që e brengosë atë, le të kujdeset për këtë Kur’an; Sepse ai është Fjalë e Allahut të Madhëruar, i Cili e ka bërë atë shërim, dritë dhe jetë. Njeriu pa Kur’an është i humbur, e bile i vdekur fare, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë.” (En’amë, 122)

Pastaj ka thënë: “Thuaj: “Nëse gaboj, unë gaboj vetëm për dëmin tim e, nëse udhëzohem në rrugën e drejtë, kjo është nga shpallja e Zotit tim. Ai, me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe është afër.” (Sebe, 50) E gjithashtu Lavdiploti ka thënë: “Elif, Lâm, Mîm. Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit.” (Bekare, 1-2)

Prej bereqetit të Kur’anit i cili i kthehet shoqëruesit të tij në dynja dhe në ahiret është se kë e angazhon Kur’ani bëhet meritor që Allahu ti japë sukses për tu mbyllur jeta e tij me një mbarim të mirë, e bile ndoshta gjatë momentit kur është duke dhënë shpirt ai lexon Kur’an, gjë që ka ndodhur me shumë prej njerëzve të devotshëm, dhe që është mjaft e njohur të shumë njerëz deri në ditët tona sot.

Hafëz ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë), duke folur për ditët e fundit të jetës së mësuesit të tij, dijetarit të Islamit – Shejhul-Islam ibn Tejmije, të cilat i kishte kaluar në burgun e një kështjelle në të cilin edhe vdiq, thotë: “Zbulova fytyrën e hoxhës, shikova në të dhe e putha ..., pastaj vëllau i tij Zejnudin Abdurrahmani i njoftoi të pranishmit se ai së bashku me dijetarin e shquar kishin mbaruar tetëdhjetë hatme[18] prej që ishte futur në këtë burg, dhe kishin filluar të tetëdhjetë e njëtën; Tha: “... prej saj arritëm të lexonim deri te fundi i sures Kamer: “Vërtet, besimtarët e devotshëm do të jenë në kopshtet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj, në kuvendin e së vërtetës (në Xhenet), tek një Sundues i Plotfuqishëm.” (Kamer, 54-55)” Pastaj dy hoxhallarët e shquar e të devotshëm Abdullah ibn el-Muhib dhe Abdullah ez-Zur’ij ed-Darir, duke qenë se shejhu e kishte në qejf leximin e saj, filluan të lexonin prej fillimit të sures er-Rrahman derisa mbaruan Kur’anin komplet, ndërsa unë isha prezent, dëgjoja dhe shikoja, dhe në fund filluan ta pastronin trupin e shejhut, ...” – e deri në fund të asaj që përmendi Hafëzi ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “el-Bidajeh uen-Nihajeh.”[19]

Prandaj, bekimet që vijnë nga Kur’ani s’kanë të ndalur. E lusim Allahun që të na bekojë me Librin e Tij dhe udhëzimin e Profetit të Tij .

 

(… vazhdon)

Përshtati nga gjuha arabe: Hekuran Helshani   



[1] Allahu qoftë i kënaqur me të

[2] E ka sjellë Buhariu dhe teksti i mësipërm është i tij, në kaptinën "meritat e Kur'anin," nënkaptina rreth urdhërimit të dëgjuesit lexuesin me fjalët "mjaft!", numër 5050; dhe Muslimi në kaptinën "Namazi i udhëtarit," nënkaptina rreth vlerave të dëgjimit të Kur'anit dhe kërkesa ndaj hafëzit për lexim që ta dëgjojë atë, si dhe "të qajturit gjatë leximit dhe meditimit, me numër 800.

[3] "Komentimi i Buhariut," nga Ibn Batali, 10/278-279

[4] "Fethul-Bari," 124/9

[5] Tefrisi i Ibn Kethirit," 95/7

[6] Shih: "el-Masdar es-Sabik," 479/8

[7] "el-Istikameh," 259/2.

[8] Pjesë nga një hadith që e transmeton Tirmidhiu rreth meritave të Kur'anit, numër 2906, hadithi nga Ali ibn Ebi Talib (Allahu e mëshiroftë). Tirmidhiu thotë: "Këtë hadith e njohim vetëm përmes kësaj rruge, ndërsa zinxhiri i tij është i panjohur," ndërsa Albani e ka bërë të dobët. Porse kuptimi i tij është i vërtetë.

[9] "Pasimi i rrugës së drejtë," 1/543.

[10] Shërim përmes leximit të Kur'anit

[11] E ka transmetuar Buhariu dhe ky është teksti i tij; në kaptinën e qirasë, nënkaptina "çfarë jepet si kompensim për rukje në lagjet arabe për fatihanë," numër 2276. Dhe Muslimi në kaptinën "Selami," nënkaptina "Lejesa për marrjen e kompensimit për rukje me Kur'an apo dhikr," numër 2201.

[12] “Rrugët e njerëzve të devotshëm,” 1/290.

[13] “et-Tahrirë uet-tenuirë,” vëll. 7, 17/91.

[14] “el-itkan fi ulumil-Kur’an,” 1/4.

[15] Hadith nga Abdullah ibn Mes’udi (Radijallahu anhu), e ka transmetuar Tirmidhiu në “Shpërblimi i Kur’anit,” kaptina “Çfarë është thënë për shpërblimin e atij që lexon një harf nga Kur’ani,” me numër 2910, Albani e ka bërë të saktë (sahih).

[16] Ka transmetuar Hafëzi Ebu Amr ed-Dani – me zingjirin e tij – në librin e tij “Sqarimi rreth numrit të ajeteve në Kur’an,” faqe 75; gjithashtu shiko “tefsirin e ibn Kethirit,” 1/97-99, përveçse në të është thënë: “... e njëqind e tetëdhjetë shkronja.”

[17] “et-Tahrirë uet-Tenuirë,” vëll. 3, 7/370.

[18] Lexim i Kur’anit prej fillimit deri në mbarim.

[19] 18/300. 


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja