Youtube/Tezkije
Dallimet e njerëzve në raport me Kur’anin
Abdurrahman ibn Abdulaziz ed-Dihami
 06.02.2016

(... artkulli paraprak)

Dije se njerëzit kanë dallime të mëdha në raport me Kur’anin Fisnik, prandaj Shejhul-Islam ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) i ka ndarë njerëzit në katër grupe në raport me Kur’anin, sipas asaj që është përmendur në Librin e Allahut Lavdiplotë; Prandaj ka thënë: “Njëri lloj janë ata të cilët e shmangën dhe u privuan nga dëgjimi i tij, siç janë ata për të cilët Allahu ka thënë: “Jobesimtarët thonë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran! Flisni e qeshni me zë të lartë, ashtu që të triumfoni (të ndërpreni leximin e tij)!” (Fussilet, 26).

 

Lloji i dytë janë ata që e kanë dëgjuar zërin por s’kanë kuptuar gjë, e për të cilët Allahu ka thënë: “Krijesat më të këqija para Allahut janë ato që janë shurdhe dhe memece (ndaj së vërtetës) e që nuk hanë arsye. Sikur Allahu të dinte ndonjë të mirë tek ata, Ai do t’ua jepte dëgjimin. Por, edhe sikur t’i bënte të dëgjonin, ata do të shmangeshin dhe do të largoheshin nga besimi.” (Enfalë, 22-23), e këtë e ka thënë pas Fjalës së Tij: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos ia ktheni shpinën, ndërkohë që e dëgjoni (të vërtetën)! Mos u bëni si ata që thonë “Dëgjojmë”, por nuk ia vënë veshin.” (Enfalë, 20-21). E kësaj i vie për shtati edhe fjala e Profetit e transmetuar në Sahihajn: “Atë të cilit Allahu ia do të mirën, e bën ta kuptojë fenë.”[1]

Ky ajet dhe ky hadith na tregojnë se, ai i cili nuk ka arritur të ketë një dëgjim me të cilin do të mund ta kuptonte Fjalën e Allahut, Allahu nuk ka parë te ai ndonjë mirësi, dhe nuk ia ka dashur të mirën, dhe e kundërta, ai tek i cili Allahu ka parë mirësi dhe ia ka dashur të mirën patjetër se ka për ta bërë të dëgjojë atë dhe ta kuptojë atë. Por gjithashtu ajeti tregon edhe se kjo nuk do të thotë se çdonjëri i cili e ka dëgjuar dhe e ka kuptuar atë, në të ka mirësi, sepse ka mundësi që ai ta kuptojë atë por mos të punojë sipas kësaj diturie prandaj nuk do të ketë dobi prej saj, e rrjedhimisht nuk do të ketë mirësi në të.

Lloji tjetër janë ata që e kanë dëgjuar Fjalën dhe e kanë kuptuar por nuk e kanë pranuar atë, dhe nuk i janë bindur urdhërit që vie nga ajo, siç janë jehudët, për të cilët Allahu ka thënë: “Në mesin e hebrenjve ka nga ata që i nxjerrin fjalët nga konteksti i tyre dhe i thonë Profetit: “Dëgjuam, por nuk të bindemi”! dhe “Dëgjo, mos dëgjofsh!” dhe “Ra’iná!”, duke shtrembëruar (shprehjet) me gjuhën e tyre dhe duke shpifur për fenë. Po sikur ata të kishin thënë: “Dëgjuam dhe u bindëm!” dhe “Dëgjo!” e “Shikona neve!”, kjo do të ishte më e mirë dhe më e drejtë për ata. Allahu i mallkoi ata për shkak të mohimit të tyre, prandaj ata nuk besojnë, përveç një numri të vogël.” (Nisa, 46) E gjithashtu ka thënë: “Vërtet shpresoni ju (besimtarë) se ata (hebrenjtë) do t’ju besonin ju, ndërkohë që disa prej tyre i dëgjonin fjalët e Allahut dhe, pasi i kuptonin, me vetëdije i shtrembëronin ato?!” (Bekare, 75) Deri te Fjala e Tij: “Disa prej atyre janë analfabetë, nuk e njohin Librin, përveç disa trillimeve dhe flasin vetëm me hamendje,” (Bekare, 78) dmth. nuk e njohin leximin e tij.

Dhe lloji tjetër janë ata të cilët dëgjuan me një dëgjim që sjell kuptim dhe pranim, e ky pra është ai dëgjimi me të cilin jemi urdhëruar, siç ka thënë i Lartësuari: “Thuaj (o Muhamed): “Mua më është shpallur se disa prej xhindeve kanë dëgjuar (Kuranin) dhe kanë thënë: ‘Me të vërtetë, kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm, i cili udhëzon në rrugën e drejtë dhe kemi besuar në të, prandaj kurrsesi më nuk do t’i shoqërojmë askënd Zotit tonë (në adhurim)!” (Xhin, 1-2) Dhe ka thënë: “Kur shpallet ndonjë sure, disa prej atyre (që kanë dyshim dhe hipokrizi) thonë: “Kujt prej jush do t’ia shtojë besimin kjo sure?” Përsa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen.” (Teube, 124)[2] Allahu na bëftë prej këtyre, me mirësinë dhe bujarinë e Tij, Amin!

Profeti e ka sjellur shembullin më të shkëlqyer për gjendjen e njerëzve me Kur’anin duke thënë: “Shembulli i besimtarit i cili e lexon Kur’anin është sikurse shembulli i trigjethëshit[3], aromën e ka të mirë por edhe shijen e ka të mirë; e shembulli i besimtarit i cili nuk e lexon Kur’anin është si shembulli i hurmës, nuk ka aromë porse shijen e ka të ëmbël. Ndërsa shembulli i mynafikut i cili lexon Kur’an është sikurse shembulli i borzilokut, aromën e ka të mirë ndërsa shijen e ka të hidhur; e shembulli i mynafikut i cili nuk e lexon Kur’anin është si shembulli i kungullit të egër, aromë nuk ka fare ndërsa shijen e ka të hidhët.”[4] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Të vërtetën e ka thënë Allahu i Lartësuar kur tha: “Toka e mirë i jep frutat me lejen e Zotit të saj, ndërsa toka e keqe, zor se jep gjë. Kështu, në mënyra të ndryshme, Ne ia shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve mirënjohës.” (A’rafë, 58)

Imam ibn Kajjim (Allahu e mëshiroftë) në prezantimin që u bën dobive të trigjethëshit thotë: “Një gjë e cila shquhet me gjitha këto dobi e meriton që të përngjasohet me të esenca e ekzistencës, e ajo është: besimari i cili e lexon Kur’anin; ndërsa disa prej të parëve tanë të devotshëm preferonin që ta zgjasnin të shikuarit në të, për shkak të haresë që shkakton shikimi në të.”[5]

Pastaj Profeti gjithashtu ka përngjasuar udhëzimin me të cilin e ka dërguar Allahu, me shiun, dhe i ka përngjasuar zemrat me tokën me llojllojshmërinë e saj, pra tokë të mirë dhe tokë të ligë. Pra është transmetuar nga Ebu Musa el-Esh’ariju (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti ka thënë: “Shembulli i atij udhëzimi dhe asaj diturie me të cilat më ka dërguar Allahu Lavdiplotë, është si shembulli i një shiu i cili e ka goditur një tokë, ku një pjesë e kësaj toke ishte e mirë dhe e pranoi këtë shi, dhe në të mbinë kullota dhe bar i shumtë; ndërsa një pjesë tjetër ishte e pafrytshme (sterile) kështu që ajo e mbajti ujin sipër, dhe Allahu u solli dobi njerëzve edhe prej kësaj, ata pinë prej saj, u dhanë bagëtive dhe ujitën tokën; Ndërsa shiu goditi gjithashtu edhe një pjesë tjetër të saj e cila ishte një shtrat i cili as nuk e mbante ujin e as nuk prodhonte kullota; Këta janë shembujt e atyre që iu dha kuptimi i fesë së Allahut, dhe u bëri dobi ajo me të cilën Allahu më dërgoi mua, mësuan dhe i mësuan të tjerët; dhe shembulli tjetër është i atij i cili nuk arriti ta ngrisë kokën dhe nuk e pranoi udhëzimin me të cilin më dërgoi mua Allahu,”[6] transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Prandaj, medito o vëlla i nderuar rreth këtij shembulli madhështor, të cilin Profeti e solli për ta krahasuar këtë shpallje që zbriti nga qielli në zemrën e tij, me shiun i cili zbret në tokë. Shiu që zbret është një, porse toka në të cilën ai zbret dallon me një dallim të madh, prandaj ajo përfiton nga ky shi varësisht prej prodhimtarisë së saj dhe përshtatshmërisë së saj; Nëse është tokë e mirë ajo e pranon ujin dhe mbijnë prej saj kullota dhe bari i shumtë, e nëse është sterile, sado që ti zbret asaj shi ajo nuk përfiton prej tij, nuk mbijnë prej saj kullota e as nuk mund ta mbajë ujin sipër; Pra kështu është shembulli i Kur’anit Fisnik në raport me zemrat, kush ka tokën e zemrën të plleshme përfiton prej këtij Kur’ani, ndërsa ai që toka e zemrës së tij është e pafrytshme nuk përfiton prej tij, e bile kjo do të bëhet argument kundër tij, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Kur shpallet ndonjë sure, disa prej atyre (që kanë dyshim dhe hipokrizi) thonë: “Kujt prej jush do t’ia shtojë besimin kjo sure?” Përsa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen. E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e veta, ajo ua shton edhe më dyshimin që kanë dhe ata vdesin si mohues.” (Teube, 124-125).

 

(... vazhdon)

Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani



[1] Hadithi i Muavije ibn Ebi Sufjan (Allahu qoftë i kënaqur me të); e ka transmetuar Buhariu në kaptinën “dituria”, nënkaptina: “Atë të cilit Allahu ia do të mirën, e bën që ta kuptojë fenë,” numër 71; dhe Muslimi në kaptinën e “zekatit,” nënkaptina: “ndalimi nga të pyeturit,” numër 1037.

[2] “Mexhmu’l-fetava,” 16/8-14.

[3] “Trigjethëshi”: Lloj agrumeje me shije të ëmbël, e ngjashme me limonin në pamjen e jashtme përveç se ka shije të ëmbël e jo të thartë; emri i plotë në botanikë: “Poncirus Trifoliata Raff.” Është thënë se urtësia e përzgjedhjes së kësaj peme nga i Dërguari në vend të frutave të tjera të cilat bashkojnë midis aromës së mirë dhe shijës së ëmbël është se lëvozhga ose gjethet e saj përdoren si ilaç prandaj ia vlen të veçohet; e gjithashtu prej farës së saj nxirret një yndyrë prej së cilës ka dobi. Gjithashtu është thënë se xhindet nuk i afrohen asaj shtëpie ku ka trigjethësh, prandaj është i përshtatshëm që të merret si shembull për Kur’anin të cilit nuk i afrohen shejtanët. Pastaj, mbulesa e farës së tij është e bardhë gjë që ngjason me zemrën e besimtarit. Në të poashtu ka disa veçanti tjera siç janë: madhësia e trupit të tij dhe bukuria e pamjes së tij, ngjyra e tij e lezetshme dhe lëkura e lëmuar; pastaj gjatë ngrënjes së tij ka shije të ëmbël, ngjyrë të kuqërremtë dhe ka tretje të lehtë; e dobi të tjera.” (Marrë shkurtimisht nga “Fet’hul-Bari,” nga Hafëz Ibn Haxheri 9/84.)

[4] Hadithi i Ebu Musa el-Esh’arijut (Allahu qoftë i kënaqur me të), të cilin e transmeton Buhariu në kaptinën e Ushqimeve, nënkaptina rreth “dhikrit para ushqimit,” me numër 5427; dhe Muslimi, dhe teksti i mësipërm është i tij, në kaptinën e namazit të udhëtarit, nënkaptina rreth vlerës së hafëzit të Kur’anit, me numër 797.

[5] “Zadul-Ma’adë,” 4/262.

[6] Transmeton Buhariu në kaptinën e diturisë, nënkaptina “Vlera e atij që mëson dhe i mëson të tjerët,” numër 89; dhe Muslimi, dhe teksti është i tij, në kaptinën e vlerave, nënkaptina “Sqarimi i shembullit të atij udhëzimi dhe asaj diturie me të cilën u dërguar Profeti , numër 2282. 


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja