Dije se meditimi i Kur’anit Fisnik është një obligim prej obligimeve të kësaj feje, dhe për këtë gjë janë në ujdi shumica e komentuesve të Kur’anit. Ai që e lexon Kur’anin dhe e mediton atë, me këtë meditim do të arrijë gradën e bindjes së plotë (jekinit), sepse ai do ta shohë praktikisht se si pjesë të tij vërtetojnë pjesë të tjera të tij, nuk kundërshtohen ndërmjet vete e as nuk ka ndonjë mospërputhje.
Prandaj në asnjë gjendje nuk ka mundësi që një ajet të mos përputhet me një ajet tjetër apo të bie në kundërshtim me të; dhe kur besimtari e sheh këtë pozitë që ka Kur’ani, kjo i shton atij besim mbi besim. Për shembull, tregimi i njëjtë – qoftë i gjatë apo i shkurtë – mund të përsëritet disa herë në Kur’an por me stile të ndryshme, e megjithatë s’ka mundësi asnjëherë që midis tyre të ekzistojë as përqindja më e vogël e mundshme e kundërshtimit apo mospërputhjes me njëri tjetrin. Të vërtetën e ka folur Allahu i Madhërishëm kur ka thënë: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” (Nisa, 82) E gjithashtu ka thënë: “Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.” (Fussilet, 42) Dhe ka thënë: “Thuaj: “Atë (Kuranin) e ka zbritur Shpirti i Shenjtërisë nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë dhe për të qenë udhërrëfyes dhe lajm i mirë për ata që i dorëzohen Allahut”. (Nahl, 102)
Prandaj Kur’ani është i vërtetë dhe ka zbritur me të vërtetën, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ne e kemi shpallur Kuranin me të vërtetën dhe ai ka zbritur me të vërtetën. Ne të kemi dërguar ty (Muhamed) vetëm si përcjellës të lajmeve të mira dhe paralajmërues.” (Isra, 105)
Prej gjërave që gjithashtu dëshmojnë për madhështinë e vlerës së përsiatjes së Kur’anit Fisnik është se kjo gjë futet në grupin e gjërave me të cilat këshillohen njerëzit rreth Librit të Allahut, pra kjo përsiatje apo ky meditim është pjesë e fesë, ndërsa Profeti ﷺ ka thënë: “Feja është këshillë!” I thanë: “Për kë?” Tha: “Për Allahun, për Librin e Tij, për Profetin e Tij, për prijësit e muslimanëve dhe për popullin e thjeshtë.” E transmeton Muslimi.[1]
Hafëz ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) e ka sqaruar kuptimin e këshillës së librit të Allahut,[2] duke thënë: “Sa i përket këshillës rreth librit të Allahut, ajo është dashuria e fortë ndaj tij dhe madhërimi i vlerës së tij, duke qenë se është Fjala e Krijuesit, dëshira e flaktë për ta kuptuar atë, përkushtimi i flaktë për ta medituar atë, ndalja gjatë leximit të tij duke hulumtuar rreth kuptimeve të cilat Allahu ka dashur që të kuptohen prej tij, dhe të veprojë sipas tij pasi që e ka kuptuar atë.
E gjithashtu edhe robi këshillues duhet ta pranojë këshillën nëse dikush e këshillon atë; e nëse atij i mbërrin ndonjë shkresë prej dikujt duhet të përpiqet që ta kuptojë, ashtu që të jetë në gjendje ti qëndrojë besnik asaj të cilën ai ia ka drejtuar. Pastaj, kështu duhet të veprojë edhe këshilluesi për Librin e Allahut, ti kushtojë vëmendje kuptimit të tij, ashtu që të jetë në gjendje që për hir të Allahut ti qëndrojë besnik asaj me të cilën Ai e ka urdhëruar ashtu siç dëshiron dhe kënaqet Ai, e pas kësaj ta shpërndajë atë që e ka kuptuar tek të tjerët, gjithnjë duke çiftëzuar këto ligjërata me dashuri ndaj Librit të Allahut, me edukatë që përkon me edukatën e tij, dhe me sjellje që dalin nga mësimet e tij.” [3]
Shejhul-Islami (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Duhet të dihet mirë se Profeti ﷺ ua sqaroi sahabëve të tij kuptimet e Kur’anit ashtu siç ua sqaroi shprehjet e tij, prandaj Fjala e Allahut: “Për t’ua sqaruar njerëzve atë që iu ka zbritur,” (Nahl, 44) ngërthen në vete të parën dhe të dytën. Abdurrahman es-Sulemi ka thënë: “Ata të cilët na mësonin leximin e Kur’anit, siç ishin Uthman ibn Afan, Abdullah ibn Mes’ud dhe të tjerë pos tyre, na tregonin se kur i kanë mësuar dhjetë ajete nga Profeti ﷺ, nuk i kanë kapërcyer ato para se të mësonin se çfarë përmbajnë ato prej dijes dhe veprave, dhe thanë: “Mësuam Kur’anin, diturinë dhe veprën, të gjitha së bashku.”[4] Kjo ishte arsyeja pse ata mbesnin gogja një kohë derisa ta mësonin përmendësh një sure. Enisi (radijallahu anhu) ka thënë: “Kur një burrë e lexonte suren el-Bekare dhe Ali Imranë, në sytë tanë ai konsiderohej i madh. Ibn Umeri (radijallahu anhu) mbeti disa vite në mësimin e sures el-Bekare; thuhet se i ka zgjatur tetë vite, sipas asaj që ka përmendur Maliku. Kjo për shkak se Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij ...” (Sad, 29); dhe ka thënë: “A nuk e meditojnë ata Kur’anin?!” (Nisa, 82); dhe ka thënë: “A nuk medituan ata rreth Fjalës?!” (Mu’minunë, 68).
Meditimi i Kur’anit pa kapjen e kuptimeve të tij është i pamundshëm ... zakoni i njerëzve nuk pranon që dikush ta lexojë një libër rreth një fushe të caktuar të diturisë, qoftë edhe mjekësi apo informatikë, e të mos synojë bashkë me të edhe kuptimin e komentimit të saj, e çfarë të themi për Fjalën e Allahut në të cilën ndodhet mbrojtja e tyre, shpëtimi dhe lumturia e tyre, prej saj varet feja dhe dynjaja e tyre?!”[5]
Kjo është arsyeja pse dijetarët e kanë urryer leximin e Kur’anit Fisnik pa meditim dhe pa kuptim. Imam Zerkeshiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Leximi i Kur’anit pa meditim është i urryer, dhe këtë e përkrah edhe hadithi i Abdullah ibn Amrit (radijallahu anhu): “Ai që e lexon Kur’anin për më pak se tri ditë, nuk ka mundësi ta kuptojë atë.”[6] Ndërsa ibn Mes’udi (radijallahu anhu) i tha atij që e njoftoi për një person i cili ngrihej të falej natën me Kur’an[7]: “A duke nxituar nxitim poetësh?”[8] Gjithashtu fjala e të Dërguarit ﷺ rreth cilësive të havarixhëve: “E lexojnë Kur’anin me një lexim që nuk ua tejkalon as fytin e as grykën e tyre,”[9] pra i qortoi ata se ishin preciz në leximin e tij ndërsa braktisën të kuptuarit e kuptimeve që dalin prej tij.”[10]
Shejhul-Islami (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ajo që kërkohet prej Kur’anit është kuptimi i qëllimeve të tij dhe puna sipas tyre; e nëse brenga e hafëzit të Kur’anit nuk është kjo, atëherë ai nuk është prej njerëzve të dijes dhe fesë.”[11]
Imam inbul-Kajjim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Për këtë arsye njerëzit e Kur’anit kanë qenë ata që e kuptonin mirë atë dhe punonin sipas asaj që ndodhet në të, edhe nëse nuk e dinin të tërin përmendësh; e sa u përket atyre që e kanë mësuar, por nuk e kanë kuptuar dhe nuk kanë punuar sipas tij, ata nuk janë prej bartësve të tij, edhe po që se shkronjat e tij i nxjerrin më të sakta se shigjetat.”[12]
Kjo që e ka përmendur ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) është e qartë dhe e padiskutueshme, dhe për këtë dëshmon fjala e Profetit ﷺ: “Në Ditën e Gjykimit sillet Kur’ani, dhe bartësit e tij të cilët punonin sipas tij, i paraprinë atij surja el-Bekare dhe surja Ali Imran, sikur të ishin dy re, apo si dy hije të zeza mes të cilave ndodhet një shkëlqim,[13] apo sikur të ishin dy tufa shpendësh të rreshtuar,”[14] transmeton Muslimi.
Prandaj, brenga e hafëzit të Kur’anit duhet të jetë kuptimi i tij, e fill pastaj puna sipas tij, siç ka thënë i Lartësuari: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” (Sad, 29)
Prandaj llogarite vetveten, o rob i Allahut, sa është hisja jote në meditimin e asaj që e lexon nga Fjala e Zotit tënd; Allahu ka thënë: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.” (Hadidë, 16)
Ibn Mes’udi (radijallahu anhu) ka thënë: “Midis kohës kur u futëm në Islam dhe kohës kur Allahu na qortoi përmes këtij ajeti s’kishte më shumë se katër vite.”[15] Ndërsa Hasani[16] thotë: “Po i qorton ata, edhe pse janë krijesat më të dashura për Të.”[17]
Kolosi i dijes, Tahir ibn Ashurë (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Me Fjalën e Tij: “... për besimtarët e vërtetë,” ose janë për qëllim disa prej tyre të cilët ndoshta ishin të mangët në krahasim me shumicën e besimtarëve tjerë atëbotë në Mekë, prandaj Allahu i Lartësuar deshi t’ua zgjojë zemrat e tyre përmes kësaj të folme, që sipas traditës së përgjithshme të Kur’anit dhe thënjeve të Profetit ﷺ, ka stil gjithëpërfshirës ndaj besimtarëve; siç është për shembull edhe fjala e Profetit ﷺ: “Ç’është puna me disa njerëz që veprojnë kështu e kështu ...?” apo Fjala e Allahut të Lartësuar: “Ndërsa një grup tjetër i kishte kapluar brenga për vetveten dhe mendonin për Allahun gjëra të pavërteta, mendime injorantësh paraislamik.” (Ali Imran, 54); prandaj edhe ibn Mes’udi (radijallahu anhu) nuk kishte për qëllim se çifti i një burri si ai bënte pjesë në mesin e atyre që i ka përmendur Allahu me këtë ajet, por ai frikësohej për ta prandaj e tha këtë si tërheqje e vërejtjes dhe për të pasur kujdes ...; ose në anën tjetër është për qëllim nxitja e besimtarëve për të qenë vigjilent ndaj kësaj dhe të ruhen nga mangësimi.”[18]
Kjo tregon se krijesat më të zgjedhura janë të përfshira në audiencën e kësaj tërheqje vërejtjeje ndaj kësaj shkelje në raport me vlerën e vërtetë të Kur’anit, qoftë në aspektin e meditimit apo të përuljes. Në hadithin e Ebu Musa el-Esh’arij (radijallahu anhu) tregohet se ai u kishte dërguar një ftesë lexuesve të Kur’anit prej banorëve të Basrës, me ç’rast treqind burra nga lexuesit e Kur’anit iu përgjigjën kësaj ftese dhe erdhën tek ai. Ai u tha atyre: “Ju jeni të zgjedhurit e banorëve të Basrës, dhe lexuesit e saj, prandaj lexojeni atë, e mos të bëheni si ata që iu dha kohë e gjatë (pasi që iu ishte dhënë libri) e pastaj të ju forcohen zemrat sikur atyre.” Transmeton Muslimi.[19]
Hasan el-Basriu ka thënë: “Kur’ani ka zbritur që të punohet me të, prandaj leximin e tij shndërrojeni në punë!”[20]
Ata të cilët nuk përkujtojnë dhe nuk meditojnë gjatë leximit të Kur’anit Allahu i Lartësuar i ka përshkruar me dobësi të mendjes, siç ka thënë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” (Sad, 29)
Dijetari i lartëcekur Ibn Ashurë (Allahu e mëshiroftë) thotë në tefsirin e tij: “Kjo e qet në shesh faktin se ata të cilët nuk marrin mësim nga Kur’ani nuk janë njerëz që kanë mendje, dhe se përkujtimi është çështje që u përket muslimanëve të cilët e dëgjojnë Fjalën (Kur’anin) dhe e pasojnë atë në mënyrën më të mirë, e rrjedhimisht këta janë ata të cilët i kanë medituar ajetet e tij dhe kanë nxjerrë prej tyre kuptime të cilat nuk i kanë njohur më herët; Ndërsa ai që e ka lexuar dhe është përkujtuar prej tij rreth gjërave të cilat i ka njohur më herët, me një përkujtim të vërtetë, atij i takon që të kujdeset për të. Ndërsa mohuesit jobesimtarë ia kthyen shpinën meditimit, prandaj s’ka dyshim se atyre u iku edhe përkujtimi përmes tij.”[21]
Allahu i Lartësuar ka thënë: “... dhe nga ana jonë të dhamë ty shpalljen plot përkujtime. Kush shmanget nga ai, në Ditën e Kiametit do të mbartë ngarkesë të rëndë, që do t’u mbetet përherë. Sa barrë e keqe që do të jetë ajo në Ditën e Kiametit!” (Ta-Ha, 99-101), dhe gjithashtu Lavdiploti ka thënë: “Ajo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt, me siguri që shumicës prej tyre do t’ua shtojë mosbindjen dhe mohimin.” (Maide, 64)
Dijetari i madh Abdurrahman es-Sa’di (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kjo është prej dënimeve më të mëdha për robin, që përkujtimi të cilin Allahu ia ka zbritur Profetit të tij, e në të cilin ndodhet jeta e zemrës dhe shpirtit, lumturia e kësaj dhe botës tjetër, shpëtimi për të dy botët, e cila është dhurata më e madhe të cilën Allahu ua dhuroi robërve të Tij, mirësi për të cilat bëhet obligim garimi për pranimin e tyre, nënshtrimi ndaj Allahut dhe falënderimi për to; që të gjitha këto ti shtojnë atij mashtrim mbi mashtrimin e tij, rebelim mbi rebelimin e tij, mohim mbi mohimin e tij, e gjithë kjo për shkak të mohimit që ua bëri atyre dhe konfrontimit me to, zilisë që kishte ndaj tyre, dhe përgjigjes ndaj tyre me qejfe të kota e të pavlera.”[22]
(... vazhdon)
Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani.
[1] Hadithi i Temim ibn Evs ed-Dari (Allahu qoftë i kënaqur me të); e transmeton Muslimi në kaptinën e besimit, nënkaptina “sqarimi se feja është këshillë,” numër 55.
[2] Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë në librin “el-mexhmu’ë” (2/136-137): “Këshilla e Librit të Allahut është besimi se ai është Fjalë e Allahut dhe e zbritur nga Ai, dhe atij nuk i ngjason aspak fjala e krijesave, dhe se krijesat nuk kanë mundësi të sjellin as edhe një sure të vetme si suret e tij; pastaj leximi i tij duke ia dhënë hakun përmes zbukurimit, meditimit dhe përuljes, theksimi i shkronjave saktë gjatë leximit të tij, shmangia e tij nga shtrembërimet e të devijuarve dhe kundërshtimet e mohuesve, besimi i sinqertë në atë çfarë ai përmban, ndalimi i vetes nga gjërat që ai ka ndaluar, përpjekja për ti kuptuar mësimet dhe shembujt që dalin prej tij, marrja mësim nga udhëzimet e tij, mendimi rreth mrekullive të tij, pastaj në raport me nxjerrjen e gjykimeve prej tij: interesimi rreth ajeteve të përgjithshme dhe të përveçme, anuluese dhe të anuluara, përmbledhëse dhe përcaktuese, dhe degëzime të tjera të këtij lloji; pastaj përhapja e diturisë së tij, thirrja për tek ai, dhe të gjitha tjerat që i përmendëm, bëjnë pjesë në këshillën e tij.”
[3] “Xhami’ul-ulumë uel-hikem,” fq. 153.
[4] Shih: “Tefsiri i ibn Xheririt,” 1/74; e ngjashëm edhe në “Musned,” numër 23482.
[5] “Mukadimetun fi tefsirë,” fq. 36-37; “mexhmu’ul-fetava,” 13/331-332.
[6] Hadithi i Abdullah ibn Amr ibn As-it (radijallahu anhu), transmeton Ebu Davudi në kaptinat rreth leximit të Kur’anit dhe ndarjes sipas hizbeve, nënkaptina “ndarja e Kur’anit në hizbe,” numër 1394; dhe Tirmidhiu në kaptinën e “kirajeteve,” numër 2949, e ka bërë të saktë Albani.
[7] Ajo që ndodhet në Sahihajn është se folësi ka thënë: “Kam lexuar të gjitha suret e shkurtra (mufessaleh) brenda një rekati të vetëm.”
[8] Hadithi i Abdullah ibn Mes’udit (radijallahu anhu) të cilin e transmeton Buhariu në kaptinën e Ezanit, nënkaptina e “bashkimit mes leximit të dy sureve brenda një rekati të vetëm,” numër 775; dhe Muslimi në kaptinën e namazit të udhëtarit, nënkaptina “zbukurimi i leximit të Kur’anit, shmangia e nxitimit – i cili nënkupton tejkalim të kufirit në shpejtësi,” numër 822.
[9] Transmeton ibn Maxhe prej Enesit (radijallahu anhu) me këtë tekst, përveç se në të thuhet: “nuk ua tejkalon as fytin e as grykën e tyre,” kaptina rreth përmendjes së havarixhëve, numër 175. Ndërsa në Sahihajn: Buhariu me numër 361; Muslimi, me numër 1064, ngjashëm me të, prej hadithit të Ebi Sa’id el-Hudrij (radijallahu anhu), dhe prej hadithit të Sehl ibn Hanifit (radijallahu anhu): Buhariu me numër 6934; Muslimi me numër 1068.” E gjithashtu në Muslim nga hadithi i Xhabir ibn Abdullahit (radijallahu anhu) me numër 1063, dhe Ebi Dherrit (radijallahu anhu) me numër 1066), dhe Aliut (radijallahu anhu) me numër 1068. E sa u përket shprehjeve dallojnë me njëri tjetrin: “nuk ua tejkalon laringjet e tyre,” “nuk ua tejkalon fytet e tyre,” “nuk ua tejkalon grykët e tyre,” etj ...
[10] “el-Burhan fi ulum el-Kur’an,” 1/641-642.
[11] “Mexhmu’ul-fetava,” 23/55.
[12] “Zadul-Me’adë,” 1/327.
[13] “Fet’hul-Bari,” e Ibn Haxherit, 12/542; dhe “Sherhul-Muslim,” e Neveviut, 6/91.
[14] “Sherhul-Muslim,” Neveviu, 6/90-91; “Nihajetu fi garibil-hadith,” fq. 520.
[15] Ka transmetuar Muslimi në kapitullin e Tefsirit, nënkaptina “rreth Fjalës së të Lartësuarit: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët...”, numër 3027.
[16] Hasan el-Basriu: Ai është Hasan i biri i Ebu Hasanit – Ebu Sa’id el-Basrij. Emri i babait të tij është Jaseri, zotëriu i Zejd ibn Thabit el-Ensarit (radijallahu anhu). Lindi dy vite para se të mbaronte hilafeti i Umerit (radijallahu anhu), dhe ka parë njëqind e njëzetë veta nga sahabët e Profetit ﷺ, por me gjithë pozitën e tij të çmuar që kishte, ishte i njohur për gabimet që i bënte në transmetimet e hadithit – irsalë dhe tedlisë, prandja atë që e ka transmetuar si mursel nuk merret për bazë si argument. Ai – Allahu e mëshiroftë – ishte dijetar, i ngritur, njohës i fik’hut, i përpiktë, shembull, i besueshëm, adhurues i Allahut, asket, me dije të gjerë, dhe orator. Vdiq në muajin Rexheb, në vitin njëqind e dhjetë të kalendarit hixhri, duke qenë tetëdhjetë e nëntë vjeçar. Shih: “eth-Thikatë,” 4/122-123; dhe “sijerul-a’lamë en-nubela,” 4/563-578; dhe “takribu et-tehdhibë,” fq. 236.
[17] “Fet’hul-Kadirë,” 4/235.
[18] “et-Tahrirë uet-Tenuirë,” vëll. 11, 27/390.
[19] Transmeton Muslimi në kaptinë e zeqatit, nënkaptina “sikur biri i Ademit ti kishte dy lugina do ta kërkonte të tretën,” numër 1050.
[20] “Miftah Dar es-Seadeh,” 1/535-537.
[21] “et-Tahriru uet-Ten’uirë,” vëll.9, 23/253.
[22] “Tejsir el-Kerim er-Rrahman,” 1/433.