Youtube/Tezkije
Rreth asaj se meditimi i Kur’anit është baza e rregullimit të zemrës
Abdurrahman ibn Abdulaziz ed-Dihami
 10.03.2016

(... artikulli paraprak)

Dije – Allahu të mëshiroftë – se meditimi i Kur’anit është baza e rregullimit të zemrës, shpëtimit dhe stabilitetit të saj. Nuk ka asgjë që i afrohet atij në përforcimin e themeleve të besimit në zemër dhe ankorimin të litarëve të tij, sepse Allahu i Lartësuar urdhëroi për meditimin e Librit të Tij dhe të menduarit rreth kuptimeve të tij, si dhe udhëzimit përmes ajeteve të tij, dhe i lavdëroi ata që i përmbahen kësaj duke i vendosur ata në shkallët më të larta, dhe u premtoi atyre dhuratat më të çmueshme. Sikur robi të shpenzonte xhevahiret më të çmuar të jetës së tij për të arritur këtë, nuk do të ishte shumë, duke marrë parasysh se është prej punëve më të mira që njeriu mund të synojë ndonjëherë, prej qëllimeve më madhështore, është bazë e çdo baze, gur themel i themeleve të fesë, ndreqës i çështjeve të dynjasë, fesë dhe botës tjetër, prandaj jeta e robit do të ishte e ndriçuar me udhëzim, mirësi, mëshirë, jetë të këndshme dhe vepra të mira.[1]

Prandaj mjerë dhe mjerë për meditimin, studimin dhe të menduarit kaq të pakët rreth Fjalës së Allahut, të cilën e zbriti si shërim, udhëzim dhe mëshirë!

Imam ibn Kajjim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nuk ka diç më të dobishme për robin në jetën e tij dhe në zahirenë e tij për botën tjetër, dhe më të afërt me shpëtimin, sesa meditimi i Kur’anit, zgjatja e të menduarit rreth tij, dhe mbledhja e mendjes ndaj kuptimeve të ajeteve të tij, sepse kjo i jep robit një pasqyrë rreth shenjave treguese të hajrit dhe sherrit me gjitha aspektet e tyre, dhe të rrugëve të cilat çojnë tek to, shkaqeve dhe qëllimeve të tyre, pasojave dhe rezultateve që dalin nga ato dyja; pastaj ia vendosë në dorën e tij çelësat e thesareve të lumturisë dhe diturive të dobishme, ia forcon bazat e imanit në zemrën e tij – ia ndërton fortesën e tij dhe ia ngulit shtyllat e tij; ia shfaq atij panoramën e dynjasë dhe ahiretit, të Xhenetit dhe Zjarrit, në zemrën e tij; e sjell atë para ngjarjeve të umeteve dhe ia shfaqë atij se çfarë veproi Allahu me to; i jep atij vizion që ti kuptojë vendndodhjet e shembujve prej të cilëve duhet marrë mësim; i dëshmon atij drejtësinë e Allahut dhe mirësinë e Tij, dhe ia mundëson ta njohë Atë, Emrat, Cilësitë dhe Veprat e Tij, atë çfarë Ai do dhe atë çfarë urren, rrugën e cila çon tek Ai, dhe atë çfarë e pret kërkuesin e kësaj rruge pas arritjes dhe qëndrimit para Tij; e njofton me grabitqarët e rrugës dhe mundimet, e bën të njihet me shpirtin dhe cilësitë e tij, prishësit e veprave dhe rregulluesit e tyre; ia bën me dije rrugën e banorëve të Xhenetit dhe rrugën e banorëve të Zjarrit, veprat e tyre dhe gjendjet e tyre, shenjat e tyre dhe gradët e njerëzve që kanë fituar lumturinë dhe të atyre që kanë merituar dëshpërimin; pastaj llojet e krijesave njerëzore, dhe se çfarë është ajo që i bashkon ata dhe çfarë është ajo që i ndan ata.

Pra, meditimi i Kur’anit, studimi dhe kuptimi i tij ka shumë e shumëfish më shumë dobi e urtësi sesa këto që i përmendëm, porse si përmbledhje e kësaj: ai është thesari më i çmuar, ndërsa deshifruesi[2] i tij është zhytja përmes procesit të të menduarit në arritjen e një përfundimi rreth kuptimeve të tij.”[3]

Meditoje pra Kur’anin nëse udhëzimin synon
Se gjithë dija në meditimin e Kur’anit qëndron[4]

***

Në përgjithësi, nuk ka diçka më të dobishme për zemrën sesa leximi i Kur’anit, meditimi dhe të menduarit rreth tij. Ai është emëruesi i përbashkët i të gjitha pozitave të garuesve, gjendjeve të vepruesve dhe gradave të njohësve, dhe ai është i cili sjell dashurinë dhe përmallimin, frikën dhe shpresën, pendimin e vazhdueshëm, mbështetjen (tevekulin), kënaqësinë, mbështetjen e punëve tek Allahu, falënderimin, durimin (sabrin), dhe gjëra të tjera përmes të cilave arrihet ngjallja e zemrës dhe plotësimi i saj, e në anën tjetër qorton çdo cilësi apo vepër të dënueshme e cila çon kah prishja e zemrës dhe shkatërrimi i saj.

Sikur njerëzit ta kuptonin se çfarë përmban në vete leximi i Kur’anit me meditim, do të angazhoheshin me të ndaj çdo gjëje tjetër pos tij. Kur ndonjëri e lexon atë me meditim, kur ai kalon nëpër ndonjë ajet për të cilin zemra e tij ka nevojë ashtu që të shërohet, ai e përsëritë atë qoftë edhe njëqind herë, apo gjatë gjithë natës; prandaj leximi i një ajeti me meditim dhe kuptim është më i mirë sesa mbarimi i plotë i leximit të tij pa meditim dhe kuptim, është më i dobishëm për zemrën e tij, dhe më parësor që përmes tij të arrihet besimi dhe shijimi i ëmbëlsisë së Kur’anit.

E kjo ka qenë zakoni i selefëve[5]. Ndonjëri prej tyre e përsëriste një ajet të vetëm deri në kohën e sabahut. Ndërsa nga Profeti ynë është vërtetuar se ai ka përsëritur një ajet të vetëm duke e përsëritur atë deri në agim, e ky ajet ishte Fjala e Allahut: “Nëse Ti i dënon ata, robërit e Tu janë, e nëse i falë, vërtetë Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Maide, 118)

Prandaj, leximi i Kur’anit me përsiatje është esenca e rregullimit të zemrës. Kjo ishte arsyeja pse Abdullah ibn Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të) thoshte: “Mos e shpejtoni leximin e Kur’anit si të ishte poezi, e as mos e hapërdani atë si të ishte përtypje e hurmave të prishura,[6] ndaluni në mrekullitë e tij dhe lëvizni zemrat tuaja përmes tij.”[7]

Ejubi transmeton nga Ebi Hamra se ka thënë: “I thashë ibn Abbasit: “Unë lexoj shpejt, unë e lexoj Kur’anin për tri ditë.” Më tha: “Ta lexoj një sure të vetme të Kur’anit brenda një nate, duke e medituar atë dhe duke e lexuar me tertilë[8] është më e dashur për mua sesa ta lexoj Kur’anin ashtu siç e lexoke ti.”[9]

Meditimi gjatë leximit të Kur’anit është dy llojesh: Meditimi rreth tij duke dashur të arrijmë qëllimin e Zotit të Lartësuar në të, dhe meditimi rreth kuptimeve të tij përmes të cilave Ai i ka thirrur robërit e Tij që të meditojnë në to.

Pra, e para: Meditim rreth argumentit Kur’anor.

Ndërsa e dyta: Meditim i përgjithshëm.

E para: Meditim rreth ajeteve të tij të dëgjuara.

E dyta: Meditim rreth ajeteve të tij të dëshmuara.[10]

 

(... vazhdon)

Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani.



[1] “el-Kawaid el-Hisan el-mutealikah bi tefsir el-Kur’an,” fq.13.

[2] Pra për të arritur efektin e zhdukjes së dykuptimësive, sqarimit të kuptimeve të tij dhe shpjegimit të gjërave të komplikuara. Shpjegimi i kësaj shprehje në gjuhën arabe është përmendur në “el-mu’xhem el-wasit,” fq. 562.

[3] Këtu mbaroi fjala e Ibn Kajjimit. “Rrugët e njerëzve të devotshëm,” 2/1160-1164, shkurtimisht.

[4] “el-Kefijeh es-Shefijeh,” vargu numër 736, fq. 55.

[5] Gjeneratat e para të muslimanëve për të cilët është dëshmuar se kanë qenë paraardhësit më të devotshëm dhe ruajtësit më të mirë të fesë Islame pas Profetit Muhamed . Fjala “selefe” ka kuptimin e diçkaje që i paraprin diçkaje tjetër të llojit të njëjtë.

[6] Shih: “en-Nihajetu fi garib el-Hadith,” fq. 309.

[7] Transmeton ibn Ebi Shejbeh në “Musanef,” 3/610, numër 8817; e ngjashëm me të edhe Bejhakiu në “esh-Shu’ab,” 3/406-407, numër 1883, 1884.

[8] Lexim me nxjerrje të saktë të shkronjave të tij, me zbatimin e plotë të rregullave të texhvidit, si dhe me zbukurim të zërit gjatë leximit.

[9] Transmeton Bejhakiu në “es-Sunen el-Kubra,” 2/555, numër 4060, dhe në “esh-Shu’ab,” 3/406, numër 1882.

 

[10] “Miftah Dar es-Seadah,” 1/535-537. 


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja