Youtube/Tezkije
Të gjithë janë të ftuar për meditim të Kur’anit
Abdurrahman ibn Abdulaziz ed-Dihami
 20.03.2016

(... artikulli paraprak)

Allahu i Lartësuar i ka lehtësuar shprehjet e Kur’anit për tu mbajtur mend dhe për tu lexuar, aq sa atë e kanë mësuar përmendësh edhe fëmijët më të vegjël; dhe i ka lehtësuar kuptimet e tij gjithashtu, për kuptim dhe kërkim diturie, prandaj ajo është fjala më e mirë në aspektin e shprehjeve, dhe më e vërteta në aspektin kuptimor, kështu që kushdo që i drejtohet asaj Allahu ia lehtëson atë që e kërkon prej saj; Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne e kemi lehtësuar Kur’anin për përkujtim, prandaj a ka kush që merr mësim?!” (Kamer, 17)

Kolosi i dijes es-Sa’di (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Për këtë arsye mësimi i Kur’anit përmendësh apo i shpjegimeve të tij është shkenca më e lehtë, dhe kategorikisht më e çmuara; është një dije e dobishme e cila po që se robi e kërkon atë ndihmohet drejt saj. Disa nga selefët[1] kanë thënë rreth këtij ajeti: “Pra a ka ndonjë kërkues diturie e që të ndihmohet në të?!”[2]

Pra, Kur’ani Fisnik është përkujtim për botët në përgjithësi; Allahu i Lartësuar tha për të: “As nuk është fjalë e djallit të mallkuar. Prandaj, nga po ia mbani? Ai është veçse këshillë për botët.” (Tekuirë, 25-27)

Tahir ibn Ashurë (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Dmth. Kur’ani nuk është tjetër veçse përkujtim për të gjithë njerëzit, përmes të cilit ata përfitojnë në rregullimin e besimit të tyre, bindjen ndaj Zotit të tyre Allahut, gdhendjen e edukatës së tyre, sjelljen e tyre ndaj njëri tjetrit, ruajtjen e së drejtës së njëri tjetrit, vazhdimësinë e organizimit të bashkësive të tyre, mënyrën se si të bashkëveprojnë me popujt tjerë të cilët nuk e kanë pasuar Kur’anin; prandaj “botët” përshijnë çdo krijesë njerëzore, sepse të gjithë janë të thirrur për tu udhëzuar përmes tij, dhe përfitojnë prej asaj me të cilën ai ka ardhur.”[3]

Kjo është përgjigja jonë ndaj atyre të cilët dëshirojnë të vënë pengesë midis muslimanëve dhe kuptimit të Fjalës së Zotit të tyre Lavdiplotë duke i shmangur njerëzit nga meditimi i Kur’anit, duke pretenduar se Kur’anin nuk e kupton kush pos dijetarëve të shquar e të thelluar në dije. Po, në Kur’an ka ajete të cilat nuk i kupton kush pos dijetarëve të shquar, siç ka thënë Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Komentimi i Kur’anit ndahet në katër lloje: I pari është ajo që arabët e njohin nga Kur’ani përmes gjuhës së tyre arabe, pastaj është komentimi (tefsiri) i ajeteve për të cilat nuk arsyetohet askush me mosdije ndaj tyre, pastaj është tefsiri të cilin e njohin vetëm dijetarët, e në fund vjen tefsiri të cilin nuk e di kush tjetër pos Allahut;”[4] prandaj, Kur’ani në pamje të përgjithshme është i lehtësuar, ashtu siç na ka njoftuar për këtë Allahu i Lartësuar, e ndoshta kjo përfshin shumicën e asaj që u përmend në dy llojet e para të komentimit. Allahu e di më së miri.

Duke u bazuar në këtë,  i bie që shumica e muslimanëve të zakonshëm janë të thirrur për të medituar Kur’anin Fisnik. Imam ibn Hubejra[5] (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Prej kurtheve të shejtanit është zmbrapsja e robërve të Allahut nga meditimi i Kur’anit, duke qenë i vetëdijshëm se udhëzimi ndodh mu përmes meditimit, prandaj u thotë atyre: “kjo gjë është e rrezikshme,” derisa njeriu të thotë: “Unë s’do flas asgjë për Kur’anin sepse dua të ruhem.”[6]

Përmes kësaj na u bë e qartë se meditimi i Kur’anit është i qasshëm për çdo lexues, gjithsecili sipas pozitës së tij, dhe të gjitha Lavdërimet për këtë i takojnë Allahut.

E si të mos meditohet Kur’ani kur Allahu e ka zbritur atë për udhëzimin e njerëzimit dhe lumturinë e tyre, siç ka thënë i Lartësuari: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” (Isra, 9)

Pra, Kur’ani Fisnik udhëzon kah ajo që është më e mira në të gjitha aspektet: në fushën e besimit dhe adhurimeve, sjelljeve dhe shitblerjeve, politikës dhe ekonomisë, shoqërisë, e të tjera.

Ai është garantuesi për të gjitha gjërat e dobishme dhe për zgjidhjen e të gjitha problemeve, e për këtë i Lartësuari ka thënë: “Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë;” (En’amë, 38), dhe “Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët.” (Nahl, 89)

Në Sahihun e Muslimit, prej Xhabir ibn Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me të) është përcjellë se Profeti ishte ndalur në Arafatë, me ç’rast u kishte mbajtur njerëzve një fjalim, dhe prej gjërave që ua kishte thënë ishte edhe kjo: “Kam lënë në mesin tuaj atë tek i cili nëse strehoheni nuk do të humbisni: Librin e Allahut.”[7] Prandaj të suksesshmit prej sahabëve të ndershëm dhe prej atyre që ecën nëpër gjurmët e tyre, e morën këtë amanet profetik, dhe u bënë kopje të Kur’anit që ecnin mbi tokë, duke e përkthyer Kur’anin me një përkthim të praktikuar me vepra në aktualitetin e tyre dhe në të gjitha gjendjet e tyre. E si të mos jetë kështu, kur prijësi dhe modeli i tyre i parë ishte ai, morali i të cilit ishte vetë Kur’ani[8], lavdërimet e Allahut dhe paqja e Tij qofshin mbi të!

Pra, Kur’ani te ata ishte sikurse shpirti që qarkullon në brendësitë e tyre. A nuk e ke parë gjendjen e shoqëruesve të Muhamedit pas vdekjes dhe bashkëngjitjes së tij me shoqërinë më të lartë, dhe pas ndërprerjes së lajmeve nga qielli?! Është përcjellë nga Enes ibn Malik (Radijallahu anhu) se ka thënë: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) i tha Omerit (radijallahu anhu) pas vdekjes së të dërguarit të Allahut : “Na u bashkëngjit edhe ti të shkojmë ta vizitojmë nënën e Ejmenit (Um Ejmen) ashtu siç bënte i dërguari i Allahut !” Kur arritën tek ajo, qau. Ata dy i thanë: “Çfarë të bën të qash? Ajo që ndodhet tek Allahu është më e mirë për të dërguarin e Allahut ?” Ajo tha: “Nuk po qajë për shkak se nuk e di se ajo që ndodhet tek Allahu është më e mirë për të dërguarin e Allahut , por jam duke qarë për shkak se shpallja që na vinte nga qielli është ndërprerë.” Dhe kështu i ngacmoi ata dhe që të dy filluan të qajnë bashkë me të.”[9] Transmeton Muslimi.

 

(... vazhdon)

Përshtati nga arabishtja, Hekuran Helshani.



[1] E ai është Matar el-Verakë (Allahu e mëshiroftë); shih “Sahih el-Buhari,” kaptina e teuhidit, nënkaptina rreth Fjalës së Allahut: “Ne e kemi lehtësuar Kur’anin për përkujtim, prandaj a ka kush që merr mësim,” numër 54.

[2] “Tejsir Kerim er-Rrahman,” 4/1746.

[3] “et-Tahrirë uet-Tenuirë,” vëll. 12, 30/165.

[4] “Tefsir et-Taberi,” 1/70.

[5] Ibn Hubejra: Jahja ibn Muhamed ibn Hubejra, Ebu Muzaferi, ministri i hilafetit, ka lexuar Kur’anin dhe ka dëgjuar hadithe, dhe ka mësuar fenë sipas medh’hebit të imam Ahmedit. Ka shkruar libra të mirë e të dobishëm, prej tyre: “el-Ifsahë,” në disa vëllime, duke i qëndruar besnik besimit Islam sipas metodologjisë së selefëve. Ka lindur në vitin 499 h., dhe i është marrë shpirti si shehid në vitin 560 h. Shih: “el-Muntadhim fi tarikh el-mulukë uel-umem,” 18/166-170; dhe “el-bidajetu uen-Nihajeh,” 16/415-417.

[6] “Dhejl tabekat el-hanebileh,” 3/273.

[7] Ka transmetuar Muslimi në kaptinën e Haxhit, nënkaptina haxhi i Profetit , numër 1218.

[8] Siç e ka përshkruar atë e sinqerta bija e të sinqertit, Aishja (Allahu qoftë e kënaqur me të), e cila kur u pyet për moralin e të dërguarit të Allahut , i tha pyetësit: “A nuk e lexon ti Kur’anin? Vërtetë morali i të dërguarit të Allahut ka qenë Kur’ani.” E përcjellë Muslimi në kaptinën e namazit të udhëtarit, nënkaptina rreth namazit të natës, numër 746.

[9] Transmeton Muslimi në kaptinën rreth vlerave të sahabëve, nënkaptina “prej meritave të Um Ejmenes (Allahu qoftë i kënaqur me të),” numër 2454. 


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja