Allahu e ka thënë të vërtetën kur ka thënë: “Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty Shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kuranin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë.” (Shura, 52)
Pasha Allahun, përveç të Cilit s’ka zot tjetër[1], sikur umeti t’i kthehej edhe një herë këtij libri fisnik, në këtë kohë kur punimet seminarike, filozofitë, tubimet dhe konferencat kanë dështuar të sjellin zgjidhje për çështjet e umetit, do të dilnin nga gjendja e cila i ka kapluar shëndoshë e mirë; dëgjoje Fjalën e Allahut të Madhërishëm: “Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo). Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij, ju të gjithë do të ndiqnit djallin, përveç një numri të vogël.” (Nisa, 83) Si dhe Fjala e Lavdiplotit: “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” (Nisa, 59)
Kështu ishin ata që jetonin në fillet e këtij umeti, ata nuk anonin kah diçka tjetër pos Librit të Allahut të Madhëruar për zgjidhjen e problemeve të tyre, prandaj gjithmonë e gjenin zgjidhjen e duhur dhe kurorën e përshtatshme. Por pastaj njerëzve iu dha hapësirë dhe kohë e gjatë, e pas tyre erdhën pasardhës të cilët devijuan nga burimi i forcës dhe krenarisë së tyre, duke bërë që gjendja të arrijë në këtë në të cilën ndodhemi ne sot. Ah sa e çuditshme është të lëngojë një popull i cili për libër hyjnor ka Kur’anin! Pasha Allahun, kjo është çudia e çudive! Zoti ynë i Madhërishëm po thotë: “Tâ, Hâ. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar, por që të jetë kujtesë për atë që ka frikë (nga Allahu).” (Ta-Ha, 1-3)
E gjithashtu tha: “Zbritni prej Xhenetit që të dy (Ademi dhe djalli)! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (Ta-Ha, 123-124) Pra, shpërblimi është sipas llojit të veprës.
E prej gjërave të çuditshme ... e sa shumë janë çuditë
Afërsia e shërimit dhe privimi tek ai për të arritë
Sikurse deveja e bardhë në shkretëtirë ... etja seç na e mbyti
Edhe pse ujin sipër shpinës e ka, por dot se arriti.[2]
Ai është një libër të cilin Allahu na e zbriti që ta lexojmë me meditim dhe të lumturohemi prej përkujtimeve që dalin nga ai. Pra, ai është drita që e largon verbërinë dhe shërimi i gjoksit nga sëmundjet dhe mërzitë; është ngasësi i shpirtrave kah shtigjet e kënaqësive: “O populli ynë, përgjigjjuni thirrësit të Allahut dhe besojini Atij! Ai do t’jua falë gjynahet tuaja dhe do t’ju shpëtojë prej dënimit të dhembshëm.” (Ahkafë, 31) Vallahi, ai të bën të dëgjosh po që se ka hasur në veshë që kuptojnë, dhe të bën të shohësh po që se ka hasur në zemra të zhveshura nga shthurja.”[3]
Kjo pra është arsyeja pse Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të kapemi fort për këtë shpallje të qartë dhe përkujtues të urtë, sepse në të ndodhet lumturia e dynjasë dhe e ahiretit; Allahu i Lartësuar tha: “Andaj, përmbaju fort asaj që të është shpallur ty, sepse ti, në të vërtetë, je në rrugën e drejtë. Pa dyshim që Kurani është përkujtesë për ty dhe popullin tënd; e ju do të pyeteni!” (Zuhruf, 43-44); Pra, “është përkujtesë për ty dhe popullin tënd,” është krenari për juve, virtyt i lartë, mirësi e cila s’mund të përkufizohet e as të përshkruhet, pra është dhurata më e madhe e dhuntia më e çmuar; “... e ju do të pyeteni!” për këtë Kur’an, se a u ngritët me të për t’u lartësuar dhe për të përfituar prej tij? Apo nuk u ngritët me të, kështu që do të jetë argument kundër jush, siç tha ﷺ: “Kur’ani do të jetë argument për ty ose kundër teje. (Transmeton Muslimi, nga Ebi Malik el-Esh’arij.)[4]
Kur’ani Fisnik është masa përmes së cilës njihet pozita e krijesave dhe gradët e tyre; Prandaj në librin e saktë të Muslimit është përcjellë përmes Nafi ibn Abdil-harith, se ky e ka takuar Umerin (Allahu qoftë i kënaqur me të) në Asfan, ndërsa Umeri e përdorte atë për në Meke; Tha: “Kë ua ke lënë në përkujdesje banorëve të luginës? Tha: “Ibn Ebzanë.” Tha: “Kush është ibn Ebzaja?” Tha: “Njëri prej zotërinjve tanë.” Tha: “A ua ke lënë në përkujdesje një zotëri?” Tha: “Është lexues i Librit të Allahut të Lartësuar, e gjithashtu i dijshëm rreth shkencës së trashëgimisë.” Umeri tha: “Sa i përket të dërguarit tuaj ﷺ, ai thoshte: “Vërtetë Allahu i ngritë disa njerëz me këtë Libër, e i poshtëron me të disa të tjerë.”[5]
Imam Zerkeshiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dije se atij që Allahu ia ka mësuar Kur’anin e madhërishëm, apo një pjesë të tij, ai duhet vënë në shënjestër në mesin e atyre të cilëve u janë dhënë mirësi, duke qenë se ai është mrekullia më e madhe; E gjithashtu për shkak se ai mbetet i gjallë për sa të ekzistojë thirrja Islame, dhe për shkak se Profeti ﷺ ishte vula e të dërguarve dhe pejgamberëve. Pra, dëshmia përmes Kur’anit Fisnik mbetet e ngritur në çdo kohë apo periudhë, sepse ai është Fjala e Zotit të botëve dhe libri më fisnik i Tij, të Lavdishmit. Prandaj, ai që Allahu ia ka dhënë Kur’anin le ta dijë se Allahu i ka dhuruar mirësi të madhe, dhe gjithmonë të kujdeset që Kur’ani të jetë provë në favor të tij e jo kundër tij, sepse Kur’ani ngërthen në vete kërkimin e disa çështjeve por edhe zmbrapsje nga disa çështje tjera, e gjithashtu përmend lajme rreth popujve mbi të cilët është ngritur argumenti, kështu që janë bërë shembull për të marrë mësim prej tyre, pasi që Allahu ua devijoi zemrat e tyre kur ata dëshiruan devijimin, dhe kështu u shkatërruan kur mëkatuan, prandaj çdonjëri që e kuptoi gjendjen e tyre të ketë kujdes nga mëkatimi, e të jetë pastaj mbarimi i tij sikurse mbarimi i tyre. Kësisoj, kur bartësi i Kur’anit ka ndërmend vazhdimisht pozitën e tij të lartë, duke qenë se është shteg për te libri i Allahut të Lartësuar dhe gjoksi i tij është mus’haf[6] i Tij, shpirti i tij privohet nga përkrahja për të bërë punë të poshtra, kështu që ai vërsulet kah vepra e mirë madhore; pra, më i madhi përkrahës për këtë është leximi i bukur i tij.”[7]
(... vazhdon)
Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani.
[1] Kur thuhet “s’ka zot tjetër,” nënkuptohet se nuk ka zot tjetër i cili është meritor për t’ia kushtuar gjithë adhurimet dhe për ta njësuar vetëm atë në adhurim, ndërsa realiteti është se njerëzit adhurojnë edhe “zota” të tjerë. Për këtë arsye dijetarët e kanë shpjeguar se kuptimi i shehadetit në Islam – la ilahe il-Allah, është se s’ka zot tjetër që e meriton të adhurohet përveç Allahut.
[2] Shih: “el-Edabë esh-Sher’ëije,” 3/104.
[3] “Medarixhus-salikinë,” 1/163-165. Shkurtimisht dhe me përshtatje të lehtë.
[4] Përcjellë Muslimi në kaptinën e pastërtisë, nënkaptina “Vlera e abdesit,” numër 223.
[5] Përcjellë Muslimi në namazin e udhëtarit, nënkaptina “Vlera e atij që ngrihet me Kur’an dhe e di atë,” nr. 817.
[6] Kopje e Kur’anit prej së cilës lexohet Kur’ani origjinal.
[7] “El-Burhan fi ulumil-Kur’an,” 1/634.